Matura Shtetërore, koeficient maksimal për shkollat profesionale
Shkollat e mesme profesionale do të vlerësohen me koeficiente maksimalë në provimet e Maturës Shtetërore për pranimet në universitete gjatë vitit të ardhshëm akademik. Skema e pranimit të studentëve për vitin e ri akademik synon që arsimi profesional të ketë koeficiente më të lartë për kandidatët që do të aplikojnë në fakultetin që do të përzgjedhin.
Burime zyrtare nga MASH, bënë të ditur se edhe për këtë vit do të jenë në dispozicion të maturës koeficientët e lëndëve me zgjedhje dhe ato të llojit të shkollave të mesme, që do të publikohen me 25 prill, kohë kur pritet të nisë plotësimi i formularit A-2, në të cilin maturantet do të listojnë dhjetë preferencat ku duan të vijojnë studimet e larta. Sipas MASH, vitin e ardhshëm do të ruhet i njëjti përshkallëzim koeficientesh për llojin e shkollës, por ato do të përmirësohen me terma konkretë, pasi vendosja e koeficienteve është bazuar në një studim statistikor mbi volumet e lëndëve dhe peshat specifike të tyre në shkollat e mesme. Në vitin 2009- 2010 do të mbeten në fuqi kriteri i përdorimit të koeficientit maksimal (1.4) për shkollat profesionale që kanë drejtim të njëjtë ose të përafërt me degën universitare ku një kandidat kërkon të pranohet. Në arsimin profesional 3- vjeçar dhe në nivelin e parë 3- vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, provimet përfundimtare të jenë: Formimi teorik profesional dhe Formimi praktik profesional. Tezat e këtyre provimeve do të përgatiten nga shkollat përkatëse, të cilat do të caktojnë edhe datat për provimet. Në vend funksionojnë rreth 70 shkolla të arsimit teknikoprofesional dhe social-kulturor, të ndara në këto fusha kryesore: Elektro-mekanike, Ekonomike, Ndërtim mobilerie, Bujqësi, Pyje dhe Veterinari, Gjuhë të huaja, Art, Sport dhe Pedagogji. Nxënësit e këtyre shkollave studiojnë në rreth 45 specialitete kryesore. Numri i nxënësve të regjistruar në këto shkolla përbën rreth 20 për qind të numrit të nxënësve që përfundojnë arsimin bazë.