E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kapet droga para futjes në burg

 

TIRANE – Policia e Durrësit zbuloi dje tentativën e disa personave që provuan të fusin lëndë narkotike në paraburgimin e këtij qyteti. Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar thanë se dje rreth orës 15.45, policia e Institucionit të Edukimit të Veprave Penale - Paraburgimi Durrës njoftuan në sallën operative të Policisë së Qarkut Durrës, se në vendin e quajtur “Brezi i Butë” në territorin e brendshëm të burgut, nga persona të paidentifikuar është hedhur një top tenisi i lidhur me izolant elektrik me ngjyrë kafe. “Shërbimet e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve, pasi bënë çmbështjelljen e topit të tenisit  konstatuan një qese farmaceutike transparente me dy shirita të bardhë, ku brenda saj gjendej një masë bimore me ngjyrë jeshile me kërcej dhe gjethe, që për nga karakteristikat ngjan me lëndën narkotike kanabis sativa. Policia tha se sasia e lëndës ka një peshë prej 6.40 gramë. Sipas burimeve mësohet se lënda e dyshuar si drogë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për të bërë klasifikimin e saj. Policia tha më tej se po punon për zbulimin dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes, ndërsa materialet e para i kaluan Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›