Caktohet seanca e parë e “Gërdecit”, më 15 korrik
TIRANE – Gjykata e Tiranës ka caktuar dje datën në të cilën do të zhvillohet seanca e parë e dosjes “Gërdeci” në këtë gjykatë. Sipas burimeve pranë gjykatës së kryeqytetit, bëhet e ditur se do të jetë data 15 korrik dita kur 28 të akuzuarit si përgjegjës të shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec do të ulen në bankën e të akuzuarve të kësaj gjykate. Ndërkohë, burimet pohuan se ende nuk është saktësuar salla në të cilën do të zhvillohet seanca gjyqësore. Numri i madh i të pandehurve në këtë proces ka “futur në bela” gjykatën e kryeqytetit, e cila nuk zotëron salla me kapacitet aq të madh vendesh. Dosja “Gërdeci” mbërriti në Gjykatën e Tiranës në 15 qershor të këtij viti, ndërsa ajo u veçua nga dosja në Gjykatën e Lartë në 22 maj. Sipas vendimit të 22 majit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi veçimin e çështjes për të pandehurit e tjerë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili po gjykohet në këtë gjykatë. Por pas mbërritjes së dosjes me 28 të pandehur në Gjykatën e Shkallës së Parë, u nevojiten tre hedhje shortesh për të përcaktuar përfundimisht treshen gjykuese. Pas problemeve të konfliktit të interesit për njërin nga gjyqtarët e shortit të parë dhe mungesës së njërit prej anëtarëve të treshes së shortit të dytë, përfundimisht treshja që do të shqyrtojë dosjen do të jetë trupa e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado me anëtarë gjyqtaret Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari. ar.ba