E moshuara në polici e mavijosur: Më dhunon djali
KORÇE - Nëna denoncon djalin në polici për dhunë. Burime të policisë në Devoll bënë të ditur se një 45-vjeçar ka përfunduar i shoqëruar në polici për shkak të dhunës sistematike ndaj nënës së tij të moshuar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hoçisht, ku policia nisi procedimin penal ndaj Koço Trajanit me akuzën e “Dhunimit të banesës” dhe “Kanosje”. Sipas burimeve, është hera e dytë që Trajani shoqërohet në Komisariatin e Policisë në Devoll. Ai ishte akuzuar nga nëna e tij Antoneta Trajani, 73 vjeçe, për dhunë sistematike të ushtruar ndaj saj. Mësohet se dy ditë më parë, ajo ka shkuar në komisariat dhe ka kërkuar ndihmë nga uniformat blu për ta mbrojtur nga i biri 45-vjeçar. Sipas policisë, e moshuara kishte shenja të dukshme të dhunës në gjithë trupin. Bazuar mbi këtë kallëzim policia e ka dërguar atë tek mjeku ligjor në Korçë. Ndërkohë, ka filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Banorë të Hoçishtit rrëfejnë se 45–vjeçari kishte qenë i martuar dhe kishte edhe dy vajza. Familja e tij jetonte më parë së bashku me nënën e tij. Por, mosmarrëveshjet mes nuses dhe vjehrrës u bënë shkak që ai të divorcohet nga gruaja, e cila mori vajzat e saja dhe shkoi në Bilisht për të punuar e rritur fëmijët. Ndërsa e moshuara për të shuar sherret me të birin la shtëpinë e saj dhe jeton tek njëra prej vajzave të saj.
Sipas hetimeve të kryera, ai e vuan tashmë ndarjen nga familja e tij dhe për këtë akuzon të ëmën. Ai shkonte herë pas here tek shtëpia ku banonte e moshuara, i pirë dhe e dhunonte atë duke e akuzuar se ajo i kishte shkatërruar atij familjen. Kështu kishte ndodhur edhe herën e fundit, pas së cilës nëna bëri denoncimin për rrahje. Policia krahas hetimit të ngjarjes i ka kërkuar 45 - vjeçarit të mos shkojë tek shtëpia ku jeton e ëma, në të kundërt do të arrestohet. j.gj