Vdes në llixhat e Dibrës, 84-vjeçari maqedonas
PESHKOPI- Një 84-vjeçar maqedonas, i cili kishte shkuar për të kuruar reumatizmin në llixhat e Peshkopisë, ka ndërruar jetë mesditën e djeshme, kur kishte vetëm dy ditë që kishte nisur terapinë kuruese. Burime nga policia e Dibrës thanë se shqiptari i Maqedonisë, banues në Gostivar, Latif Zenki, ka gjetur vdekjen në ambientet e llixhës dhe fillimisht është menduar se vdekja e tij ka ardhur nga shkaqe natyrale, edhe për shkak të moshës së thyer. Policia është njoftuar për ngjarjen rreth orës 13:00 të ditës së hënë dhe pasi ka marrë në pyetje personalin e llixhës, ka dërguar trupin e pajetë të 84-vjeçarit Zenki në morgun e spitalit të Peshkopisë, për të pritur rezultatet e autopsisë. Burime nga policia thanë se dyshohet se maqedonasi nuk kishte një raport mjekësore, që parashikohet të jetë realizuar para se të fillojë terapia kuruese në llixha. Dyshohet se Latif Zenki mund të ketë vuajtur më parë nga tensioni i lartë dhe sëmundje të zemrës, çka ka bërë që uji i llixhave të sjellë çrregullime në tensionin e gjakut dhe të rrahjeve të zemrës. Ndërkohë këto mbeten ende dyshime, deri në një rezultat përfundimtar mjeko-ligjor.