E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, 2 vrasjet, Jaho Mulosmani paralajmëron gjykim të shkurtuar

 

TIRANE – Jaho Mulosmani pritet të kërkojë gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Tiranës në rigjykimin për dy vrasje në qytetin e Tropojës. Ndërkohë që aplikimi i gjykimit të shkurtuar do t’i shmangte atij dënimin me burg “të përjetshëm” në përfundim të rigjykimit të tij për akuzën e dy vrasjeve nga togat e zeza të kryeqytetit. Gjithçka është nënkuptuar në seancën e djeshme në ngarkim të “personazhit” të shumëpërfolur Mulosmani. Vetë i pandehuri Mulosmani nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Me anë të një deklarate ai i jepte të drejtën e përfaqësimit në gjykim avokatit të tij Vladimir Meçi. Ndërsa gjykata deklaroi mungesën e të pandehurit, avokati i tij mbrojtës kërkoi kohë nga gjykata për marrjen e një tjetër akti nga klienti i tij. Sipas avokatit, bëhej fjalë për një akt ku i pandehuri Mulosmani t’i jepte atij të drejtën e bërjes së kërkesës për gjykim të shkurtuar edhe pa praninë e Mulosmanit në seancë. “Verbalisht, klienti im ma ka dhënë tagrin e bërjes së kësaj kërkese, tha avokati, por unë do të kërkoja kohë për të siguruar një akt ligjor ku ai të shprehte këtë vullnet”, u shpreh avokati Meçi, duke lënë të nënkuptohej se pas zotërimit të këtij akti do të kërkonte nga gjykata gjykim të shkurtuar për Mulosmanin.
Një vendim i marsit 2009 i Gjykatës së Lartë ktheu për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për akuzën e “vrasjes” Jaho Mulosmanin. Ndërsa ishte dënuar me burg përjetë nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi këtë vendim dhe e ridërgoi çështjen në Shkallën e Parë. Sipas gjykimit në shkallët më të ulëta, Mulosmani ishte autori i vrasjes së Hykës dhe Bashkurtit në gusht të vitit 1999. Ngjarja kishte ardhur “zinxhir” pas disa gjakderdhjeve të tjera në rrethin e Bajram Currit, ku kishin mbetur të vdekur Halil dhe Feriz Kërnaja. Sipas gjykatës, Mulosmani kishte qëlluar në shenjë hakmarrjeje pasi bënte përgjegjës të afërmit e viktimës Hyka për vrasjen e tyre. Në 2001 ai u arrestua si i përfshirë në atentatin ndaj ish- deputetit të PD-së, Azem Hajdari, akuzë për të cilën mori burgim përjetë, çështje e cila aktualisht ndodhet në Gjykatën e Strasburgut. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›