Vidhen natën makina, banesa dhe magazina
TIRANE- Ka vazhduar edhe mbrëmë veprimtaria e hajdutëve për vjedhjen e “Benz”-ave. Një makinë e tillë është “zhdukur” nga parkingu, duke shtuar numrin e makinave të tipit “Benz” që janë vjedhur ditët e fundit, kryesisht në Tiranë. Ka qenë pronari i makinës me targë VL 3541 C, ai që ka denoncuar vjedhjen në Komisariatin nr.1. Dritan Llanaj ka deklaruar në polici se në mbrëmje kishte parkuar makinën e tij në rrugën “Murat Toptani”, pranë kinema “Milenium 2” dhe në mëngjes kur do të nisej në drejtim të Vlorës ka parë që dikush ia kishte vjedhur makinën. Për policinë e Tiranës tashmë është përforcuar dyshimi se ekziston një grup personash, veprimtaria e të cilëve është përqendruar në vjedhjen e makinave, kryesisht të tipit “Benz”, duke qenë se e kanë më të lehtë me këto tipe makinash, pasi nuk kanë sistem sigurie të lartë. Burime nga policia thanë se duke krahasuar këto raste të fundit, me grupe të mëparshme që kryenin këtë veprimtari kriminale, dyshohet se makinat e vjedhura shiten për pjesë nëpër servise të ndryshme, brenda dhe jashtë Tiranës, duke e vështirësuar punën për kapjen e autorëve. Ndërkohë gjatë natës janë realizuar edhe dy vjedhje të tjera. Në Valias të Ri është vjedhur me thyerje banesa e 63-vjeçarit Bib Gjini. Ai ka denoncuar ngjarjen në Komisariatin nr.5, ku ka deklaruar se gjatë natës i kanë thyer njërën nga dritaret e shtëpisë, duke i vjedhur disa pajisje pune. Autorët ende nuk janë identifikuar nga policia. Ndërkohë në zonën e Kombinatit është regjistruar një vjedhje biznesi. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur një magazinë të firmës së elektro-shtëpiakeve dhe hidrosanitareve “Linden” Sh. p. k., në rrugën “3 Dëshmorët”, ku kanë arritur të marrin disa matrapikë dhe rreth 400 metër tel elektrik. Ngjarja është denoncuar në Komisariatin nr.6 nga pronari i magazinës, i cili ka deklaruar se vjedhja është realizuar gjatë natës, por nuk ka konstatuar thyerje të derës apo dritareve, por nga verifikimi i mallit ka parë që disa objekte mungonin. Duke qenë se edhe pas verifikimeve të policisë në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar thyerje të magazinës, sipas policisë dyshohet se vjedhja mund të jetë realizuar nga punonjës të brendshëm të magazinës. Ndërkohë as për këtë ngjarje nuk është identifikuar asnjë autor dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.