Durrës, këputet ashensori i pallatit, vdes fëmija 3-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku një fëmijë ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë, si pasojë e këputjes së një ashensori në një pallat të ri në lagjen numër 1.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se në pallat është dëgjuar një zhurmë e madhe si pasojë e këputjes së ashensorit. Pas kontrollit, në ashensorin e rrëzuar u gjetën dy fëmijë binjakë 3–vjeçarë, motër e vëlla, të cilët kishin plagë të rënda në trup.
Fëmijët, O dhe S. Bekiçi u transportuan menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit, por djali nuk mundi të mbijetonte, ndërsa motra e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas policisë, ngjarja ka qenë aksidentale, ndërsa shkaku i këputjes së ashensorit ka qenë këputja e kavove mbajtëse./Indeksonline/