E Diel, 1 Nëntor 2026

FSK-ja e barabartë me ushtritë e tjera

Ka përfunduar “Kampi Veror 2013” i mbajtur në poligonin ushtarak në Krivollak të Maqedonisë, pjesë e të cilit ishte edhe Kosova me 10 kadetë dhe një oficer. Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në këtë qendër stërvitore të kadetëve.

Kjo konsiderohet se FSK-ja njihet si ushtri nga vendet pjesëmarrëse ngase si e tillë është trajtuar dhe i gjithë kampi i mbajtur përçon mesazhin se ushtritë e rajonit mund të trajnohen bashkë dhe të fitojnë njohuri të reja që të ballafaqohen me situatat konfliktuoze.

Zëvendës ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli ka thënë se është hera e tretë që Kosova merr pjesë në qendrën stërvitore të kadetëve duke e quajtur dëshmi se Kosova jo vetëm që konsumon paqe por edhe ofron.

FSK-ja sipas tij, ka dëshmuar se kapacitetet e plota operacionale jo që i ka plotësuar por i ka tejkaluar ato dhe është e gatshme të merr pjesë në forcat paqeruajtëse kudo që ka nevojë dhe që kërkohet.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Talat Xhaferi ka deklaruar se studentët në kamp, kanë krijuar miqësitë që më vonë mund t’i thellojnë në armatat e vendeve prej të cilave vijnë.

Ai tha se është dëshmuar se bashkëpunimi rajonal mund të jetë i suksesshëm.

Kjo stërvitje taktike ishte faza e fundit nga kampi në të cilin kadetët dhe studentët kanë mundësi të fitojnë nivel të caktuar akademik në fushën e operacioneve post-konfliktuoze, e posaçërisht nga aspektet ndërkombëtare-juridike dhe diplomatike dhe përpjekjet për ndërtimin e paqes në suaza të organizatave ndërkombëtare si NATO dhe BE-ja.

Krahas kësaj pjesëmarrësit në kamp u njoftuan edhe me një pjesë të masave, proceduarve dhe përpjekjeve për ballafaqim me sfidat shtesë të cilat janë jashtë misionit, siç janë ndihma humanitare, ballafaqimi me fatkeqësitë natyrore, puna me media.

“Kampi veror 2013” i studentëve të akademive ushtarake të rajonit që u mbajt në poligonin ushtarak në Krivollak ka zgjatur 11 ditë.

Në këtë kamp morën pjesë kadetë të Mbretërisë së Bashkuar si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›