QKUK-ja prin me shkelje të Ligjit kundër duhanit

Ministria e Shëndetësisë dhe partnerët e saj në hartimin dhe zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit kanë falënderuar sot qytetarët e vendit dhe subjektet e ndryshme afariste për nivelin e lartë të respektimit të këtij ligji gjatë muajit të parë të zbatimit të tij.
“Nuk jemi euforikë, por jemi të kënaqur me rezultatet e para të zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, me vendosmërinë që të vazhdohet më tej me zbatimin e tij, duke fuqizuar aktivitetet dhe duke ngritur më tej edhe shkallën e ndërgjegjësimit për efektet pozitive që i jep për shëndetin e qytetarëve ky ligj”, tha ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një konferencë për media, kushtuar njëmujorit të parë të zbatimit të këtij ligji.
Ai theksoi se do të vazhdohet me aktivitete konkrete me qëllim të zbatimit edhe më të mirë të ligjit, me një përkrahje edhe të medieve.
Ibrahim Tërshnjaku, drejtor i inspektorëve sanitarë, tha se në periudhën kohore njëmujore, prej se ka hyrë në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit, janë kryer 2 000 inspektime, janë dhënë 394 vërejtje dhe janë shqyrtuar 40 ankesa.
Ruzhdi Shehu, kryeinspektor në MTI, tha se gjatë kësaj kohe inspektorët e tregut kanë njoftuar subjektet afariste lidhur me ato që i parasheh ligji, sa i përket shitjes dhe ekspozimit. Ai vlerësoi se ndalimi i ekspozimit të shitjes është duke u respektuar shumë mirë nga subjektet afariste.
Ardita Baraku, kryeinspektore shëndetësore, tha se janë kryer 39 inspektime në institucione shëndetësore publike e private, kurse në tetë prej tyre janë gjetur shkelje të ligjit (në shtatë klinika të QKUK-së dhe në një spital rajonal), të cilat Inspektorati i ka sanksionuar.
Arben Lila (KADC) foli për denoncimet që qytetarët i kanë bërë shkeljes së ligjit në numrin e vënë në dispozicion pa pagesë nga MTI-ja (080011000), ku janë regjistruar 94 denoncime me emra të subjekteve ku është shkelur ligji, të cilat të dhëna u janë vënë në dispozicion inspektorateve përgjegjëse.
Skënder Syla, nga OBSH-ja, po ashtu vlerësoi se zbatimi i Ligjit për kontrollin e duhanit në muajin e parë të tij është një storje suksesi në Kosovë.
Ligji për Kontrollin e Duhanit ka hyrë në fuqi më 22 maj të këtij viti./Indeksonline/