Hoxhaj pa argumente për “lëshimet” e Lulzim Pecit

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka përkrahjen e dy të tretave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të anëtarësohet në këtë institucion. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci.
Rel: Sipas informacioneve të fundit, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Konsideroni se janë pjekur kushtet për këtë veprim?
Hoxhaj: Javën e kaluar ne jemi anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe ne gjatë këtyre muajve të fundit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe kemi hartuar një dokument strategjik dhe mund t’ju them që ne së shpejti do të aplikojmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Ka dy institucione që janë vendimmarrëse për pranimin e një anëtarësimi të tillë. Së pari është Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme. Këshilli i Evropës i ka 47 anëtarë. Prej këtyre 47 anëtarëve, neve na duhen dy të tretat, ku bëjnë pjesë 34 vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Por, edhe në mesin e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën do të ketë që do të votojnë pro anëtarësimit të saj në Këshill të Evropës.
Kurse, niveli i dytë i vendimmarrjes është Asambleja e Përgjithshme, e cila përbëhet nga deputetët e parlamenteve nacionale të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Mendoj se ne, si Ministri e Punëve të Jashtme e kemi mbështetjen e 37 vendeve që të anëtarësohemi në këtë Këshill. Tani mbetet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të punojnë me kolegët e tyre deputet të Asamblesë së Përgjithshme me qëllim që ne të bëhemi anëtar.
Mendoj që është çështje javësh dërgimi i kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, që do të ishte anëtarësimi më i madh që ka pasur Kosova këto pesë vjetët e fundit.
Rel: Ministria juaj ka reaguar tejet ashpër në lidhje me dorëheqjen e zyrtarit ndërlidhës në Beograd, Lulzim Peci. Mund ta shpjegoni pse erdhi deri te dorëheqja dhe pse u desh të reagohet në atë formë?
Hoxhaj: Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep.
Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën.
Sidomos duhet veçuar edhe pretendimin e tij se ai ka pasur gjoja konflikt me kryeministrin, se kryeministri gjoja qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë - nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën.
Dialogu aktual ka të bëjë me fazën fillestare të krijimit të bazës se si do të normalizohen këto marrëdhënie.
Rel: Opozita komunikatën tuaj e cilësoi si cenim i integritetit të Lulzim Pecit. A kanë bazë ato akuza që u përmendën në të?
Hoxhaj: Mendoj që të gjitha partitë politike, edhe këto që formojnë koalicionin qeverisës, edhe ato të opozitës duhet të interesohen për temat që janë jetike të politikës së jashtme dhe jo për çështje të politikës së brendshme, realisht shpenzohet aq shumë zhurmë.
Fakti që unë nuk dëgjoj sugjerime, propozime dhe këshilla për temat që cilat e përbëjnë politikën e jashtme të një vendi, mendoj që deklaratat që janë bërë për një rast të caktuar, nuk do të meritonin shumë vëmendje.