Durrës, kërkohej nga policia italiane për trafik droge, ndalohet 33 vjeçari
Policia e Durrësit ka ndaluar dje një 33 vjeçar pasi ishte shpallur nga policia italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sokol Isteri, 33 vjeç, lindur dhe banues në Durrës lagjja nr. 9, është ndaluar nga policia, e cila në rrugë operative kishte siguruar informacione për vendndodhjen e tij.
Burime nga policia thanë se Isteri ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e PIZAS në Itali me vendim të datës 19 janar të këtij viti e ka dënuar atë me 9 vjet heqje lirie për veprën penale të Trafikut Ndërkombëtar të Lëndëve Narkotike. Këtë vendim e ka njohur dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr. 388 më datë 23 qershor të këtij viti. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bënë të ditur se Sokol Isteri u kap falë një pune të mirëorganizuar veprimeve të shpejta e profesionale nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Durrësit në një lokal në lagjen nr.9 të qytetit.