E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, "kërkohen" mësuesit me probleme psikike

Mësues me probleme psikike tentojnë të rehabilitohen dhe të jenë sërish pjesë e sistemit arsimor. Vështirësia në të pranuarit e vetes për atë që janë dhe reagimet e papritura kanë krijuar probleme dhe për marrjen e masave ndaj mësuesve të çekuilibruar psiqikisht. Të jesh mësues dhe i papërgjegjshëm. Profesioni i nderuar duket larg këtij cilësuesi, po ja që është i pranishëm në shkolla. Mësues me probleme në komunikim dhe sjellje janë konstatuar në fshatra të Durrësit, Shijakut dhe Durrës-qytet. Drejtoria Arsimore e Durrësit ka nisur gjuetinë ndaj mësuesve të papërgjegjshëm, pasi faktet dhe ankesat e mbërritura pranë saj kanë treguar se ka mësues të tillë, të cilëve u këshillohet kontrolli dhe trajtimi mjekësor. Publikimet e ndryshme për arsimtarë të sëmurë psikikë në rrethe të ndryshme të vendit, siç ishte rasti i një mësuesi në Fier, që kafshoi në vesh nxënësin e vet, i kanë bërë më të vëmendshëm, po dhe të kujdesshëm krerët e arsimit në Durrës, për të shmangur problemet. Mësuesve agresivë dhe me probleme psikike u rekomandohet shkëputja e përkohshme. U lihet në dispozicion një afat kohor disa mujor për të mbuluar nevojat që kanë për trajtim psiko-mjekësor. Frika nga sjellje të paparashikueshme të këtyre mësuesve në ambientet e shkollave dhe rënia e pasojave në kurriz të nxënësve, është e pranishme. Në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Durrësit pranohet se këtyre mësuesve me probleme u janë dhënë leje disamujore për të ndjekur terapitë e nevojshme mjekësore. Nuk janë të shumtë, po as të paktë. Shfaqin shenja çekuilibrimi mendor, reagojnë dhunshëm, bërtasin gjatë gjithë kohës, nuk paraqiten në orët mësimore, nuk përshtaten me ambientin në të cilin punojnë, duke ndikuar negativisht në procesin e arsimim-edukimit. Këto karakteristika i kanë vënë në pozita përfoljeje, por edhe frike përballë komuniteteve të nxënësve dhe prindërve, si dhe stafeve pedagogjike, të cilave u përkasin. Së fundmi, një mësuesi të shkollës së Maminasit i është dhënë leje nga DAR-i për të ndërmarrë kontrollet dhe trajtimet e duhura mjekësore, pasi kolegët dhe nxënësit, si dhe drejtuesit e arsimit, kanë konstatuar se ka probleme psikike. Pritshmëria ndaj 58-vjeçarit me probleme është dalja në KEMP dhe përfitimi prej tij, duke mundësuar largimin nga arsimi. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës, Vasillaq Papaj. "Ka mësues të papërgjegjshëm, të sëmurë, që kemi dhe vështirësi t‘i heqim nga puna", pohon Papaj. Një tjetër rast u paraqit në shkollën e fshatit Sallmone dhe ai u largua nga arsimi si i padëshiruar, ndonëse iniciativa për largimin ishte personale. Rasti tjetër është paraqitur në një nga shkollat e Shijakut. Mësueses problematike i janë dhënë katër muaj leje për t‘u shkëputur nga puna dhe kuruar për shqetësimet që ka. Krerët e arsimit janë në pritje të kthimit të saj dhe vlerësimit nëse do të mund të jetë sërish pjesë e procesit arsimor. Një tjetër mësuese që manifestonte probleme të theksuara të sjelljes në klasë është rikthyer në shkollë. Për këtë rast, drejtori i Arsimit në Durrës, Vaso Papaj, thotë se mësuesja që aktualisht punon në shkollën 9-vjeçare "Hajdar Dushi" të qytetit bregdetar, është kthyer në punë pasi u është nënshtruar kurave mjekësore dhe po mbahet nën vëzhgim. Duke iu referuar drejtoreshës së shkollës, ku mësuesja problematike punon, ajo thotë se pas rehabilitimit të shëndetit mendor ajo nuk ka shfaqur probleme. Kësaj mësueseje madje i janë krijuar kushte për të qenë dhe më pranë familjes, duke e afruar në një tjetër shkollë. Ndërkaq, për një tjetër mësues agresiv në shkollën e Shkallnurit, Agron Gj., është dhënë një leje dymujore për të qetësuar gjakrat mes mësuesit të matematikës dhe familjes së një nxënësi të dhunuar prej tij. Figura e mësuesit gjatë viteve ‘90 e në vazhdim ka rënë nga piedestali i dikurshëm. Të përballur me një tjetër realitet, ku mësuesi nuk është më zot i klasës, si dhe shqetësimet e mundshme personale, bëjnë që disa prej arsimtarëve të jenë të dobët në përballimin e këtyre situatave të reja të krijuara në shkolla, ku kryesisht nxënësit kanë nisur të njohin dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, duke harruar shpesh detyrimet që kanë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›