Bajern Mynih, kampionë për herë të 21-të
Bajerni i Mynihut rimerr Bundesligën. Skuadra e drejtuar nga Otmar Hitcfeld shpallet matematikisht kampione, kur duhen edhe tri javë nga mbyllja e kampionatit: diferenca me 10 pikë nga Verder Bremen kurorëzon gjigantët bavarezë. Bajern ngre në qiell për herë të 21-të "Meistershale"-n, pjatën me të cilën vlerësohen fituesit e kampionatit. Festa është zhvilluar në Volfsburg, ku skuadrës së Hitcfeld i mjaftonte një barazim për t‘u dhënë fund shpresave të kundërshtarëve: ashtu ndodhi, 90 minutëshi u mbyll 0-0. Gjithsesi, ky takim ishte vetëm pasarela finale e një sezoni të dominuar në mënyrë absolute. Që prej javës së dytë, Bajerni kishte fituar 4-0 me Verderin, duke treguar qartë synimet për titull. Java e 23-të ka shënuar edhe fatin e sezonit: bavarezët fitonin 2-0 me Karlsruhen, ndërsa Verder Bremen mundej nga Shtutgarti (kampione në fuqi), avantazhi rritej në 7 pikë duke sjellë "arratisjen". Shifra që pasqyron dominimin është diferenca +41 e golave, nga të cilët 21 janë shënuar nga Luka Toni.