Zidan, trajneri i ardhshëm i QPR-së
Zinedin Zidan mund të bëhet trajneri i ardhshëm i skuadrës londineze, Kuins Park Rejnxhërs (QPR). Lajmi është bërë i ditur nga gazetat e së dielës në Angli dhe ka bërë menjëherë shumë bujë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Faqja e fundit e "People", dominohej nga titulli ku pretendohej se legjenda e futbollit francez, i cili u ka dhënë "gjelave" një Kupë Bote dhe një Evrope, do të marrë drejtimin e klubit me zyra në rrugën "Loftus". Tabloidi pretendonte se pronari i klubit, Flavio Briatore (drejtuesi më i lartë i Reno-së në Formula 1) do ta bëjë anonçimin së afërmi. Situata intriguese në ambientet pranë klubit që militon në Championship (Kategoria e Dytë angleze) është nxitur edhe nga deklarata e kapitenit, Gereth Ainsuorth, i cili i kishte ftuar tifozët "të presin fillimin e një epoke të re". "Premtimi do të bëjë që e diela, të shndërrohet në një ditë, që çdo tifoz i QPR-së, i vjetër apo i ri qoftë, nuk do ta harrojë për gjithë jetën e tij", shtoi kapiteni.