E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet Valentino Rosi: Edhe unë në garën për titull

Valentino Rosi rikthehet në formën më të mirë. Pas shtatë muajsh e gjysmë, pas shtatë garash pa fituar, piloti i Jamahas i jep fund "agjërimit". Në cirkuitin e Shangait, "Doktori", ashtu si shkruhet edhe në tutat e tij, rifilloi të japë leksione në MotoGp. Suksesi i fundit i tij datonte më 16 shtator 2007, në cirkuitin e Estoril. Duhet thënë se në fitoren e italianit meritë kanë edhe gomat "Brixhston": pas tij është pozicionuar Dani Pedroza, që ruan kreun e klasifikimit për pilotë falë të njëjtave goma të prodhuara nga kompania franceze. "Pole-position" i Eduards nuk ka zgjatur shumë, pasi që në xhiron e parë amerikani është zhdukur në mesin e klasifikimit dhe i ka lënë vendin protagonistëve. Rosit dhe Pedrozës mbi të tjerët: spanjolli i Hondas ka kryesuar katër xhirot e para, më pas vjen parakalimi i Rosit, që filloi edhe arratisjen. I treti u rendit Stoner, i distancuar me vetëm 1 sekondë nga fituesit, por që në të vërtetë nuk ka qenë asnjëherë i rrezikshëm. Pas provave kualifikuese, Horge Lorenco ka bërë një tjetër paraqitje madhështore. Edhe pse me fraktura në këmbë, spanjolli e ka mbyllur garën i katërti, duke e prerë finishin përpara Marko Melandrit me Dukati. Ish-kampioni i botës, Niki Heiden, nuk ka shkuar më shumë se vendi i gjashtë. Në klasifikimin e përgjithshëm, Pedroza ruan kreun, me 81 pikë të grumbulluara, 7 më shumë se Lorenco dhe 9 më shumë se Rosi. I katërti Stoner, në kuotën 56 pikë. Botërori i Moto Gp është më i hapur se kurrë, edhe sepse katër garat e para kanë pasur nga një fitues të ndryshëm. "Jam shumë i lumtur, është një ndjesi fantastike, tha Rosi. Dua t‘i falënderoj të gjithë ata që më qëndruan afër në këtë periudhë të vështirë. Ishte fitorja e parë me gomat ‘Brixhston‘ dhe më në fund arrita ta ngisja motorin ashtu si doja. Rritmi ishte i jashtëzakonshëm. Kampionati është ende i gjatë dhe pilotët që do të luftojnë deri në fund janë shpallur fitues në katër garat e para".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›