Formula 1 stresuese, Raikonen mendon tërheqjen
Kimi Raikonen flet shumë pak, por në fjalët që thotë ndonjëherë i rrëshqet diçka. Finlandezi ka thënë një gjysmë fraze rreth tërheqjes nga Formula 1. Lamtumira nuk duket shumë e largët, edhe sepse nën zë kjo është konfirmuar nga familjarët e tij. Për këtë arsye, nuk mungojnë ata që shprehen të gatshëm të hedhin bast se në rast të shpalljes kampion bote për të dytën herë, Kimi mund të mendojë të ndryshojë mënyrë jetese. Kjo do t‘i evitonte streset e testeve, ditët e provave dhe orët pafund duke punuar për zhvillimin e makinës. Piloti i Ferrarit mund të vendosë të merret me një tjetër sport të cilin e adhuron, garat rally. Gjithsesi, realiteti është se Raikonen ka kontratë me "kokëkuqen" deri në fund të vitit 2009 dhe duket thuajse e pamundur që të mos e respektojë deri në fund impenjimin. Hipoteza e tërheqjes së finlandezit e bën edhe më interesante merkaton e pilotëve: për shembull, Alonso mund të transferohet nga Reno te Ferrari, ku do të gjente Felipe Masën, i cili ka kontratë me skuadrën italiane deri në vitin 2010. Mundësia e dytë është që duke pasur parasysh karrierën drejt fundit të Raikonen, Ferrari të vendosë të investojë te një pilot i perspektivës, të cilin do ta rrisë përkrah kampionit të botës sezonin e ardhshëm. Kubika është i ri, i talentuar dhe shumë i pëlqyer nga sponsori "Philip Morris", por polaku është i lidhur me BMW Sauber me një opsion në kontratë që favorizon skuadrën. Praktikisht, nëse BMW-ja nuk e lejon të largohet, Kubika konfirmohet automatikisht me njëvendëshen gjermane. Mes të rinjve të talentuar pëlqehet edhe Vetel, i cili me paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni i ka kaluar të gjitha parashikimet. Kandidatë të tjerë janë edhe Nikolas Todt, djali i Zhan Todt dhe Uilli Veber, i cili mbështetet nga Mikael Shumaher.