E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat përmbysin lagje dhe rrugë

Shirat e rrëmbyeshëm të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje sipërfaqësore në mjaft zona të banuara të rrethit të Fierit. Nuk i kanë shpëtuar përmbytjes as rrugë të lagjeve brenda qytetit, por as fshatrat në periferi të tij. Reshjet dhe mungesa e kanaleve kulluese në rrugët e qytetit ka bërë që disa hyrje pallatesh dhe rrugë dytësore lagjeje të bëhen të pakalueshme jo vetëm për kalimtarët, por edhe për automjetet.

Për të hyrë në pallatet e njohura ushtarake të lagjes "29 nëntori", shumë pranë qendrës së qytetit duhet të bësh akrobacira, ndërkohë që banorët ankohen se situata është e njëjta sa herë që ka shira të rrëmbyeshëm. Rrugët e amortizuara të disa blloqeve me pallate nuk kanë gropa ujëmbledhëse dhe as kanale kulluese, e për pasojë shiu krijon pellgje të mëdha uji. Lagjet "Afrim", "Kryengritja", "Konferenca e Pezës" dhe "8 Shkurti" prej disa ditësh janë bërë të pakalueshme. Burime zyrtare të Prefekturës së Fierit pohojnë se shirat kanë bërë që të raportohen në prefekturë edhe shfaqje të tjera përmbytjesh sipërfaqësore.

Kështu, në Dermenas, Topojë, Hoxharë, Levan, Kashisht dhe Kallm ka pasur përmbytje rrugësh si shkak i mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Po ashtu, nga prefektura konfirmohet edhe përmbytja e mjaft tokave bujqësore, për shkak të mospastrimit të kanaleve kulluese të tokave.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›