E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kontroll bizneseve për puntorë të pasiguruar

/>Bizneset e Durrësit po i nënshtrohen një kontrolli të plotë lidhur me numrin e personave që kanë të punësuar në bizneset e tyre. Sipas departamentit të shërbimeve në degën e tatimeve dhe të taksave në qytetin e Durrësit, thuhet se nisur nga disa të dhëna që i janë afruar inspektorëve të zonës mësohet se në një pjesë të konsideruar të bizneseve, kryesisht baret, restorantet, hotelet, ndërtuesit etj., kanë të fshehur numrin real të të punësuarve. Përveç pagës së ulët që nuk shkon më shumë se 15 000 lekë në muaj, punëtorët nuk janë të siguruar dhe nuk përfitojnë asnjë rimbursim në rast sëmundje. Tatimorët në këtë kontroll synojnë të marrin të dhëna sa më të plota si për numrin e bizneseve edhe për numrin e të punësuarve. Kjo do tu sillte tatimorëve më shumë të ardhura në arkën e tyre si pasojë e kontributeve që do të derdhin pronarët, ndërkohë që bizneset në këtë mënyrë do të paguanin çdo detyrim lidhur me taksën e tatimet. Në këtë aksion që do të vijojë deri sa çdo inspektor të ketë mbyllur detyrimin për pjesën që do të mbulojë, është thënë se në terren do të ketë edhe forca të policisë bashkiake. Regjistrimi sa më i plotë i aktivitete privat krijon për të gjitha palët më shumë të ardhura, ndërsa nga ana tjetër detyron bizneset të krijojnë kushte dhe siguri në punë për të punësuarit. Sipas sindikatave të ndryshme mësohet se në ndërtim, konfeksione, hoteleri-turizëm dhe punishte të tjera në Durrës, janë më shumë se 3 000 të punësuar që nuk rezultojnë të regjistruar. Kjo kategori trajtohet keq ngase është pa kontratë individuale dhe kolektive pune dhe gjendet e pambrojtur ndaj presioneve të mundshme të punëdhënësit. Sipas drejtorisë së tatimeve, vitin e kaluar janë regjistruar si biznese të reja 1 654 aktivitete. Prej tyre, 217 subjekte janë klasifikuar si biznese i madh dhe 1 437 të tjerë si biznese i vogël. Në Durrës 12 mujori i kaluar ka regjistruar 1 038 biznese më shumë sesa në vitin 2007. Por nga ana tjetër, ka pasur edhe shumë aktivitete që i kanë vënë kyçin lokaleve. Në degën e tatimeve dhe taksave në Durrës kanë mbyllur licencën e ushtrimit të aktivitetit privat 517 subjekte, të cilët kanë deklaruar falimentimin e tyre. Këta të fundit janë aktivitete të ndryshme, por më së shumti mësohet se kanë qenë tregtarë ambulantë, bar-kafe, fast-food, lokale shërbimi komunal etj. Inspektorati i punës në Durrës është vënë nën qortime të vazhdueshme lidhur me mosushtrimin e kontrolleve të vijueshme për të ndëshkuar punën e zezë në sektorë të ndryshëm. Në raportet dhe statistikat që ka afruar policia e shtetit, në të gjitha rastet e aksidentimeve të të punësuarve në sektorin e ndërtimit, në konfeksione etj,. viktimat nuk kanë qenë të siguruar. Subjektet janë ndëshkuar me gjobë, e cila nuk ka shkuar në më shumë se 50 mijë lekë, ndërsa personat e ngarkuar me faj dhe përgjegjësi janë lënë të lirë, duke krijuar një shije të hidhur në lidhje me këtë fenomen që është mjaft i përhapur jo vetëm në Durrës, por edhe në rrethe të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›