E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç, Berisha i dha kompanisë "Rudnap" miliona euro nga KESH

/>Deputeti Erion Braçe akuzon kryeministrin për trafik influence dhe konflikt interesi, dhunim të konkurrencës dhe pastrim parash

"Në më pak se dy vjet, "Rudnap", me pronar Fazlliç, mik i Kryeministrit, ka marrë nga paratë tona publike, 106 milion euro"- deklaroi dje Erion Braçe, nënkryetar I Grupit Kuvendor të PS-së. Lidhjen Berisha-Fazlliç, ai e ka quajtur "trafik influence, konflikt të interesave, të përfitimeve të pa ligjshme, të dhunimit të konkurrencës, pastrimit të parave, pasurimit abuziv, që ka në qendër këta dy personazhe, Sali Berishën-Kryeministër në detyrë dhe Damir Fazlliç, i shpallur nga ai pari, mik i tij i veçantë, me status zyrtar "biznesmen" dhe me status penal i "hetuar nga drejtësia"". Kompania tregëtare Rudnap ka marrë nga paratë e energjisë, për periudhën janar- shtator 67.647.000 euro. Ajo tashmë është kompania më e madhe përfituese e parave tona të energjisë. Rudnap për këtë periudhë ka marrë 46.45 % të parave tona publike të energjisë, pra deri në shtator 148 milionë euro. Kompania e dytë pas saj, ka marrë vetëm 14 %, dhe e treta 12 %. Një vit më pare, në 2007, vit kur Sali Berisha e futi "Rudnap" në treg, mori vetëm 16 %, pra vetëm 3 herë më pak se këtë vit, ndërsa në 2006, nuk ekzistonte fare në list-pagesat e KESH-it. Në më pak se dy vjet, "Rudnap" ka marrë nga paratë publike, 106.189.000 euro. Nëse për 2008 "Rudnap", është përfituesja e parë e parave, në çmimin e ofruar rezulton e 5 ndër 8 kompanitë. Pra, e shtrenjtë 2.13 euro/mgwh në 8.79 euro/mgwh se kompanitë e renditura poshtë saj si përfituese. "Po të huazonim aritmetikën e Sali Berishës, kjo diferencë përkthehet në një përfitim minimumi prej 7.7 milion euro vetëm nga çmimi, jashtë normave të tjera tregtare. Mbi të gjitha, këto përfitime kanë rrjedhur nga proçedura jo transparente, të kufizuara dhe pa garë reale prokurimi. Nëse do të kishin qenë gara normale e proçedura të hapura, gjithçka mund të ishte e justifikuar"-deklaroi Braçe. Duke argumentuar trafikun e interesave Braçe tha se "KESH prej 3 vitesh aplikon proçedura jo transparente, pa konkurrencë reale në blerjë energjie dhe përdorimit të parave publike, denoncuar nga KLSH, të cilat janë të trendit mbi 600 milionë euro. Ndërkaq, vazhdoi ai,-Damir Fazlliç, është një biznesmen i regjistruar në agjencitë qeveritare, shërbimet ligjore, të cilat i kryen studio "Malltezi & Kola". Argita Malltezi është vajza e Sali Berishës dhe shërbimin ndaj Damir Fazlliç e ka pranuar botërisht. Pra, kjo është familja që përdor paratë e taksave tona: Vajza ofron shërbimin kundrejt pagesës për Damir Fazlliç, babai i saj Kryeministër i jep asaj 106.4 mln euro në më pak se 2 vjet nga paratë e taksave tona" Shqiptarët që sot janë pa drita, duhet të dinë se kaq na kushton mbajtja e familjes Berisha,-deklaroi Braçe dhe inkurajoi qytetarët të denoncojnë korrupsionin duke shfrytëzuar podiumin ku po fliste vetë.
 ***************************************
KESH reagon në mbrojtje të Fazlliç
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e KESH, pas deklaratave të nënkryetarit të PS-së Erjon Braçe. KESH i hedh poshtë deklaratat e Braçes duke i quajtur të pavërteta dhe hamendësime. Sipas KESH bëhet e ditur se çdo blerje energjie është brenda ligjit dhe e audituar. Gjithashtu kjo koorporatë i ka kërkuar Braçes konsultim të dokumenteave që disponon pranë KESH. KESH siguron se blerjet e energjisë kanë qenë transparente dhe të publikuara rregullisht para dhe pas çdo procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›