E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, në tre vjet rrit 2.5 herë taksat vendore



Në paketën e re të taksave kryeqytetasit do të paguajnë taksa më të larta, por do t’u jepet i njëjti shërbim

Brenda tre vjetëve Bashkia e Tiranës ka rritur deri në 2.5 herë taksat vendore. Të gjithë qytetarët që u janë drejtuar zyrave të gjendjes civile për t’u pajisur me dokumente, janë ndeshur edhe me pagesat e reja të taksave. Nga janari 2009 taksat e gjelbërimit dhe ajo e pastrimit kanë pësuar rritje nga 100 deri në 150 lekë të reja. Vetëm vlefta e taksës së ndërtesës nuk ka ndryshuar.

Taksat

Nga viti në vit kryeqytetasit po përballen me rritjen e taksave vendore. Vetëm në këta tre vjet Bashkia e Tiranës ka shtuar vleftën e pagesës së taksave deri në 2.5 herë më shumë. Rritja parashikohet që të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm. Në të gjitha njësitë vendore janë shpërndarë çmimet e paketës së re të taksave vendore. Në një fletë janë të afishuara çmimet që duhet të paguajnë kryeqytetasit për taksën e gjelbërimit, pastrimit dhe atë të ndërtesës. Përjashtim nga rritja është bërë vetëm për taksën e ndërtesës. Kjo taksë nuk ka ndryshuar këta tre vjet dhe as për vitin e ardhshëm.

Burime pranë Bashkisë së Tiranës pohojnë se rritja e re e taksave vjen në kuadër të reformave që do të ndërmerren në këtë sektor si dhe pamjes së re që do t’i jepet qytetit.

Mbi këtë shumë qytetarë kanë dyshime. Sipas tyre, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të taksave, nuk ka asnjë ndryshim. Përsëri ka mungesa të theksuara të gjelbërimit dhe papastërtia ende mbizotëron. “Nga viti në vit ne po paguajmë taksa më të larta dhe nga bashkia po na ofrohet i njëjti shërbim. Kjo më duket e padrejtë”, - shprehet Nazmi Hoxha, banor i njësisë 10 në Tiranë.

Rritja

Gjendjet civile bllokojnë çdo lloj shërbimi për ata qytetarë që nuk kanë paguar taksat vendore. Në këtë mënyrë pagimi i tyre është i detyruar, në të kundërt nuk përfiton asnjë dokument zyrtar. Pavarësisht mundësive apo dëshirave për të paguar këto taksa, kryeqytetasve nuk u mbetet zgjidhje tjetër veçse t’i paguajnë ato. Në të kundërt, jo vetëm se nuk mund të marrin dokumentet në gjendjet civile, por edhe sikur të shtyjnë pagimin për vitin tjetër do të ndeshen me tarifa më të larta dhe gjobë që vendoset nga bashkia.

Kështu, taksa e gjelbërimit në vitin 2007 ishte me 200 lekë, në vitin 2008 paguhej me 300 lekë. Nga 2007-2008 qytetarët për këtë taksë paguan 100 lekë të reja më tepër. Ndërsa këtë vit duhet të paguajnë 400 dhe në 2010, 500 lekë të reja. Xhepat e qytetarëve të Tiranës brenda këtyre tre viteve detyrohen të paguajnë të dyfishuar këtë taksë, për të vazhduar më tej rritjen në 2010 me 2.5 herë më shumë.

Edhe për taksën e pastrimit pagesa do të jetë më e lartë. Nëse në vitin 2007 kryeqytetasit kanë paguar 2100 lekë, në 2008-ën ata paguan 3600 dhe këtë vit duhet të paguajnë 4500. Kështu, nga 2007-2008 rritja është bërë me 1500 lekë, ndërsa nga 2008-2009 rritja ka kapur vlerën e 900 lekëve dhe në 2010-ën do të paguhet 500 lekë më shtrenjtë, duke shkuar 5000 lekë.

Paketa e taksave ka ndryshuar vetëm çmimet, pasi shërbimi mbetet i njëjtë. Nga kjo rritje vazhdojnë të mbeten të privilegjuar nga Bashkia e Tiranës vetëm disa kategori të cilat paguajnë më pak. Këtu përfshihen familjet në nevojë, të sëmurët para dhe tetraplegjikë, familje që janë me asistencë, pensionistët e vetmuar etj.

Somario

Të dhënat e Bashkisë së Tiranës evidentojnë se nga viti 2008 janë mbledhur 25 për qind e taksave

Njësia nr. 4 ka numrin më të madh të familjeve që kanë paguar taksat, me rreth 11 mijë familje

Njësia nr. 10 mban numrin më të vogël, me rreth 500 familje

Kategoritë e privilegjuara

Familjet në nevojë

Të sëmurët para dhe tetraplegjikë

Familjet me asistencë

Pensionistët e vetmuar

Taksat

Taksa e ndërtesës nuk ka ndryshuar

Për ndërtesat para vitit 1993, 10.5 lekë/m2,

Për ndërtesat pas 1993, 21 lekë/m2.

Taksat

2007 2008 2009 2010

Gjelbërimi 200 lekë 300 lekë 400 lekë 500 lekë

Pastrimi 2100 lekë 3600 lekë 4500 lekë 5000 lekë

Ndërtesa - - - -

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›