Spitalet, me paketë bazë shërbimesh
ISKSH
Përcaktimi i një pakete bazë shërbimesh është një nga sfidat në fushën e shërbimeve shëndetësore spitalore, konsideron Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Burime nga ISKSH-ja thanë: "Kjo paketë bazë shërbimesh duhet të jetë reale, brenda burimeve të vlefshme financiare në dispozicion, e përshtatshme për përfituesit". Sipas tyre, kjo paketë duhet të ofrohet në çdo kohë për përfituesit dhe të respektojë llojin e institucionit spitalor.
Paketa bazë e shërbimeve do të jetë falas për të gjithë kontribuuesit dhe personat që përfitojnë mbrojtje nga skema e sigurimeve, ndërsa personat aktivë, por të pasiguruar, duhet të paguajnë për shërbimin. Për këtë kategori janë të përcaktuara tarifat, të cilat do të jenë shumë transparente. Këtu, përjashtim bëjnë shërbimet e urgjencës, që do të garantohen falas për të gjithë popullatën.
"ISKSH-ja do të krijojë një rrjet në të gjithë spitalet, që do të identifikojë përfituesit e shërbimeve dhe do të dallojë të siguruarit nga të pasiguruarit", - sqaruan të njëjtat burime.
Ndërkohë, grupet e punës janë duke punuar për të përcaktuar paketën bazë të shërbimeve, që do të përfshijë shërbimet kryesore që spitalet ofrojnë sot. ISKSH-ja konsideron se "ky vit do të jetë një vit tranzicioni, që do të thotë se kjo paketë shërbimi do të zhvillohet në atë mënyrë që të jetë uniforme për të gjithë vendin".