E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Do thithim kredinë për Unazën e Madhe



Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, theksoi dje se bashkia ka kapacitet që të thithë kredinë që nevojitet për ndërtimin e Unazës së Madhe. Në një deklaratë për mediat, duke reaguar mbi deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, për pamundësinë e Bashkisë së Tiranës për të bërë Unazën e Madhe, Shalsi tha: ''Prej vitesh ne u nënshtrohemi analizave financiare nga institucione serioze financiare ndërkombëtare, siç janë Banka e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, mbi bazën e të cilave jemi kredituar dhe kemi financuar projekte të ndryshme, si ai i shkollave, rrugëve dhe banesave sociale''.

Ai bëri të ditur se ''dhe për projektin e Unazës së Madhe ka një analizë financiare prej 171 faqesh, e cila është bërë nga një studio e huaj, të cilën e ka kontraktuar BERZH-i dhe mbi bazën e të cilës ne kemi marrë miratimin paraprak". Sipas tij, në këtë analizë është arritur në konkluzionin se Bashkia e Tiranës ka kapacitet të thithë një kredi edhe më të madhe se ajo që nevojitet për këtë segment të Unazës së Madhe.

Shalsi i kërkoi Kryeministrit: "Të përfundojnë procesin e shpronësimeve, që është detyra e tyre ligjore dhe të mos zgjaten me marifete politike që s’kanë asnjë lidhje me Unazën, të cilën ne do ta përfundojmë në vitin 2011''.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›