E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durres, kredi me dokumente false, ne kerkim italiani

DURRES-Një biznesmen italian ka mundur që nëpërmjet një dokumenti të falsifikuar me mjaft mjeshtëri të mashtrojë punonjësit e një banke në Durrës e të tërheqë që andej një sasi të mirë parash. Më pas drejtuesit e bankës e kanë diktuar mashtrimin, por nuk kanë mundur që të bien në gjurmët e autorit. Për këtë arsye kanë depozituar kallëzim në policinë e Durrësit. Nga ana e saj policia ka qartësuar skemën e përdorur prej italianit dhe po punon për gjetjen dhe kapjen e autorit. Për këtë qëllim do të kërkohet edhe ndihma e homologëve italianë. Ai akuzohet për mashtrim si dhe për falsifikim dokumentesh.
Ngjarja
Ditën e martë seksioni i luftës kundër krimit ekonomiko-financiar në Drejtorinë e Policisë të Qarkut të Durrësit filloi procedimin penal në mungesë, në ngarkim të 48-vjeçarit italian, Viti Leonardo Ludovico, lindur në Bari të Italisë e banues në "Susa Via Motello 12/2/1" Torino, në Itali. Ai është administrator i shoqërisë "LVL Import Eksport" me qendër në qytetin e Kuçovës. Procedimi penal në ngarkim të Ludovico-s filloi për arsye se më datë 2 shkurt të këtij viti, nëpërmjet përdorimit të një dokumenti të falsifikuar që mban të dhënat e "Intesa San Paolo bank" me qendër në Avigliana të Italisë, ka arritur të mashtrojë vetë drejtorin e "Intesa San Paolo Bank" në degën e Durrësit, e të përfitojë një sasi të mirë eurosh. Mësohet se më 2 shkurt ai ka tërhequr nga sportelet e këtij filiali shumën prej 15.000 eurosh e më pas është larguar. Dokumenti i paraqitur tregonte se Ludovico kishte të depozituar në këtë bankë në llogarinë e tij në Itali një shumë prej 450.000 eurosh. Sipas dokumentit të paraqitur në filialin shqiptar, rezultonte se këtë shumë ai e kishte transferuar nga Italia në Shqipëri. Prej kësaj shifre ka përfituar shumën prej 15 mijë eurosh, duke ia hedhur personelit të bankës në Durrës. Kjo bankë është njoftuar nga qendra në Itali se, personi në fjalë nuk kishte asnjë qindarkë të depozituar atje dhe se i kishte mashtruar. Që nga ajo ditë, drejtuesit e bankës në Durrës e kanë pasur të pamundur kontaktin me të, ndaj i janë drejtuar policisë për ta zgjidhur këtë çështje.
POLICIA
Në policinë e Durrësit sqarojnë se kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dokumentin e lëshuar nga banka në Itali, po ashtu dhe të gjithë dokumentacionin e tërheqjes së parave në bankën "Intesa San Paolo" në Durrës.
Njëkohësisht, në funksion të hetimeve kanë dhënë dëshmi dhe punonjësit e bankës. "Për të dhënë dëshmi për rrethanat dhe mënyrën e mashtrimit të bisnesmenit italian, kemi rrirrur drejtorin e filialit të bankës si dhe gjithë punonjësit e tjerë të këtij institucioni që kanë kryer proçedurat dokumentare nëpërmjet të cilave 48-vjeçarit Viti Leonardo Ludovico arriti të përfitoj shuumën 15 mijë euro",- pohojnë burimet zyrtare të policisë së Durrësit.
Ndërkohë policia po punon për kapjen e tij me akuzën e "mashtrimit dhe të falsifikimit të dokumenteve". Për këtë qëllim do të kërkohet edhe ndihma e homologëve italianë. Nëse nuk do të mundësohet kthimi i shumës së marrë, mund të kalohet në shqyrtimin e inventarit të aseteve në subjektin që ai menaxhon në Kuçovë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›