Masterat, miratohen 1565 kuota pranimi
TIRANE-Qeveria ka miratuar plot 1565 kuota pranimi për programet "Master të Nivelit të Dytë" (MND), të cilat do të fillojnë këtë vit akademik, dhe janë për ata studentë që kanë mbaruar me sistemin e vjetër, pra atë 4-vjeçar. Ndërkohë që janë miratuar edhe 137 kuota pranimi për studimet e Doktoraturës, të cilat janë hapur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në atë të Shkencave të Natyrës. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, programet "Master i Nivelit të Dytë", për vitin akademik 2009-2010, kanë në total 1.615 kuota, ku 1.565 kuota janë për kandidatët shqiptarë, nga të cilat 10% janë për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa 50 kuota janë miratuar për studentët e huaj. Ndërkohë që flitej se këto programe master do të zgjasnin dy vite, vendimi i qeverisë ka qenë se programet e studimit "Master i Nivelit të Dytë" realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit. Ndërsa pagesa e shkollimit për studentët që do të regjistrohen do të jetë 100 mijë lekë. Ndërkohë që për programet e Doktoraturës tarifa e shkollimit është 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakulteti përkatës. Ndërsa kohëzgjatja e studimeve të doktoratës është 3 vite, përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. Prej 137 kuotave për programet e Doktoraturës, kuota më të larta ka në dy degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në programin "Shkenca gjuhësore", me 25 kuota si dhe në "Letërsi botërore", 40 kuota. Ndërsa në tetë programet e Doktoraturës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës kuotat e pranimeve janë nga 6 deri në 10 kuota pranimi për secilën degë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)