Fratini siguron Metën: Do shqyrtohet kërkesa për BE
FRANEZINË-Italia ka mbështetur fuqimisht perspektivën europiane të Shqipërisë. Ministri i jashtëm italian Franko Fratini në një takim, në Farnezinë, me homologun shqiptar Ilir Meta ka premtuar se në mbledhjen e ardhshme të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, më 26 tetor ai do të ngrejë për diskutim çështjen e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe shpejtimin e procedurave në këtë drejtim. Shqipëria e dorëzoi kërkesën për anëtaresim në BE para zgjedhjeve të 28 qershorit, por BE ende nuk e ka shqyrtuar, pavarësisht premtimeve për ta bërë këtë brenda vjeshtës. Fratini tha se vendimi për t’i transmetuar dosjen Komisionit Europian nuk është një vendim politik, por teknik dhe duhet të zbatohet nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së. Për sa i përket liberalizimit të vizave, Ministri Fratini tha se Shqipëria “po i afrohet përmbushjes së të gjitha kërkesave teknike”. Sipas Fratinit, Tirana “ka bërë një progres shumë të madh në lidhje me sigurimin e dokumentacionit, pasaportave biometrike dhe kontrollit të kufijve”. Ministri Meta u shpreh i kënaqur nga qëndrimi italian. Fratini sugjeroi se në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe duhet të realizohet një samit ndërqeveritar periodik” ashtu siç bëhet me Serbinë.
(m.a/News24/BalkanWeb)
(m.a/News24/BalkanWeb)