E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufiri, ambasadori grek takim kokë më kokë me Topallin

TIRANE- Ratifikimi i marrëveshjes së kufijve detare Shqipëri- Greqi nga parlamenti shqiptar mund të jetë cështje ditësh.

Një ditë më parë Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolaos Pazios zhvilloi një takim privat me kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli. Takimi, i cili ka zgjatur rreth 40 minuta është zhvilluar pa praninë e mediave dhe në lidhje me të nuk ka pasur asnjë deklaratë apo njoftim paraprak.

Zyra e Shtypit pranë Kuvendit, e kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” konfirmoi zyrtarisht takimin Pazios-Topalli, por saktësoi se “ai ka qenë tërësisht privat”, duke mos servirur kësisoj detaje të tjera. Por burime pranë Topallit saktësuan për GSH se takimi është zhvilluar pas kërkesës së diplomatit grek.

Jo zyrtarisht thuhet se thirrja e këtij takimi urgjent nga ana e Pazios ka pasur për qëllim marrjen e një informacioni zyrtar nga kryeparlamentarja Topalli, lidhur me “fatin” e marrëveshjes shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes dy shteteve, e depozituar për ratifikim në Kuvendin e Shqipërisë, por e shtyrë për një afat të pacaktuar.

"Pazios, në emër të qeverisë së Athinës mësohet t’i ketë bërë të ditur Topallit nevojën e ratifikimit të shpejtë të këtij dokumenti. Presioni i palës greke lidhur me këtë çështje është bërë pikërisht një ditë para se Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare të miratojë kalendarin trejavor të punimeve"- shkruan sot "GSH".

Është pranuar apo jo kërkesa e ambasadorit Pazios nga kryeparlamentarja Topalli, kjo pritet të saktësohet në seancën e pasdites së sotme kur Kuvendi do të votojë këtë kalendar, ndërsa GSH zbulon lëvizjet politike të maxhorancës që pasuan takimin Pazios-Topalli, dhe që lënë të kuptohet qartësisht se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga parlamenti shqiptar ka për të qenë një çështje ditësh. Vetë kryeministri Berisha është informuar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli mbi këtë takim dhe GSH ka arritur të filmojë automjetin e Zonjes Topalli kur ka lënë godinën e Këshillit të Ministrave në orën 14:55 të ditës së mërkurë.

Referuar faqes zyrtare në internet të Kuvendit, sqarohet se deri në datën 16 nëntor ky dokument është planifikuar për të kaluar për ratifikim në Parlament. Se në cilën nga 4 seancat plenare të të enjteve që kanë mbetur deri në këtë datë do të futet për ratifikim marrëveshja, kjo pritet të vendoset me miratimin e kalendarit të punimeve që specifikon në mënyrë të detajuar datën e miratimit të projektligjet apo marrëveshjeve.

Sipas marrëveshjes së firmosur në prill të 2009 studiues dhe ekspertë të pavarur kanë argumentuar se Shqipëria humb 354.4 kilometra katrorë sipërfaqe ujore, ndërsa përfaqwsuesit e qeverisë e mohojnë. Një grup prej 6 partish opozitare, nga e majta dhe e djathta kanë depozituar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për të verifikuar kushtetutshmërine e marrëveshjes.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›