Durrës, krybashkiaku Dako përuron një rrugë të re, anekse i Egnatias
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka përuruar një tjetër rrugë të re nën moton Durrësi nuk ndalet më. Rruga aneks e rrugës Egnatia ka përfunduar bashkë me një aneks tjetër paralel me të pas 5 muaj punimesh që kanë përfshirë punimet nëntokësore të kanalizimeve si dhe shtrimin e asfaltimin, ndriçimin dhe gjelbërimin.
Kryebashkiaku Dako në këtë përurim deklaroi se kjo rrugë do të lehtësojë jetesën e një komuniteti të tërë që banon në këtë zonë. Në fushatën e tij elektorale Dako kishte premtuar rikonstruksionin rrugëve edhe në zonat midis pallateve dhe blloqeve të banimit gjë që u realizua tashmë. Kryebashkiaku Dako është shprehur se përmirësimi i infrastrukturës së qytetit është një prioritet i Bashkisë së Durrësit. Ka qenë një premtim yni elektoral që të shtronim rrugët dhe në përgjithësi të përmirësonim të gjithë infrastrukturën e qytetit për të lehtësuar jetesën e banorëve. Kemi punuar intensivisht dhe e kemi prioritet përmirësimin e kësaj infrastrukture dhe kemi arritur rezultate shumë të mira deri tani ndërkohë që puna do të vazhdojë intensivisht. Tashmë kjo rrugë do tu shërbejë banorëve duke ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës në këtë zonë. Qytetarëve durrsakë nuk do tu shkelë më këmba në baltë por vetëm në mjedise të rregullta me asfalt dhe me lulishte të sistemuara, është shprehur Dako. Rruga e përuruar është me gjatësi 230 metra dhe gjerësi 8 metra. Fondi për këtë rrugë është i bashkisë dhe ka vlerën e 9.5 milion lekëve të rinj ku përveç të gjitha punimeve për kanalizime dhe asfaltime janë kryer edhe ndriçime dhe gjelbërime. Së bashku me këtë rrugë ka përfunduar tashmë edhe aneksi tjetër i rrugës Egnatia me gjatësi 100 metra dhe gjerësi 7 metra, me fond 3.5 milion lekë të rinj.