Gjykata e Beratit lë në burg dhunuesin e bashkëshortes
Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Berat ka vendosur burg pa afat ndaj 61 vjeçarit që dhunoi për vdekje bashkëshoretn e tij. Prokop Mice, banor i lagjes Çlirim në qytetin e Beratit është përballur dje me vendimin e gjykatës, në seancën e parë, duke marrë masën e sigurisë burg pa afat. Mice, i shoqëruar me furgonin e organeve të rendit është shoqëruar nga dhomat e paraburgimit deri në gjykatën e Beratit ku është njohur me akuzën që tashmë do të rëndojë ndaj tij.
Prokuroria e Rrethit të Beratit ka kërkuar në seancën e zhvilluar mesditën e djeshme cilësimin e ligjshëm të arrestimit të 61 vjeçarit për shkak të akuzës që rëndon mbi të duke i kërkuar gjykatës të vendosë ndaj tij masën e sigurisë burg pa afat, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. Organi i gjykatës pranoi kërkesën e prokurorisë duke vendosur këtë dënim deri në seancën tjetër gjyqësore dhe nëse gjendja shëndetësore do të rëndohet, Mice do të përballet me dënim të rreptë për shkak të dhunës barbare që ka ushtruar. I pandehuri Mice u vu në pranga pas denoncimit që ka barë vajza e tij, cila e ka gjetur nënë e saj në gjendje të rëndë për shkak të dhunës barbare që ka ushtruar burri i saj. Lizheta Mice, përfundoi në spital në gjendje të rëndë shëndetësore pasi u dhunua rëndë nga bashkëshorti, pas një grindjeje mes tyre. 61 vjeçari rrahu gruan e tij dhe e mbajti atë dy ditë në banesë pa i ardhur personalisht në ndihmë apo pa e transportuar në spital për ti dhënë ndihmën e parë. Shkaku që ka nisur grindja mes çiftit Mice ka qenë pija. Sipas burimeve të policisë, 62 vjeçari kishte rënë në kurthin e alkoolit, dhe për të ndërprerë këtë ves, bashkëshortja e tij kishte flakur pijet alkoolike. Në nxehje e sipër për këtë veprim, 62 vjeçari është ngritur dhe ka filluar dhunën ndaj bashkëshortes së tij duke i shkaktuar trauma të rënda. Për dy ditë Mice e ka mbajtur të fshehur këtë keqtrajtim duke mos e lejuar gruan të shkonte të vizitohej, por ka qenë vajza e këtij çifti të moshuarish, e cila ka shkuar rastësisht tek prindërit dhe kur ka parë të ëmën ka reaguar duke e çuar menjëherë në spital. Pas marrjes së ndihmës së parë shëndetësore në spitalin e Beratit, është transportuar për ndihmë më të specializuar drejt Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë. Sipas mjekëve të Beratit gjendja e saj shëndetësore është ende e rëndë me gjithë ndihmën emergjente që i është dhënë nga mjekët. Por ajo që është e rëndësishme është se Mice ndodhet jashtë rrezikut për jetën aktualisht dhe po mbahet nën kontrollin e mjekëve deri në përmirësim të shëndetit të saj.