E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna tek fëmijët, 85% e mjekëve nuk njohin shenjat

Shenja dhune, edhe ironizomi, frikësimi, mungesa e afeksionit dhe vëmendjes
Shumica e mjekëve të familjeve dhe ato të shkollave nuk kanë aftësitë e duhura për të dalluar shenjat e dhunës te fëmijët. Me qindra fëmijë të dhunuar nuk kanë se ku të ankohen pasi mjekët në vendin tonë quajnë dhunë vetëm dhunën e rëndë fizike. Për këta mjekë frikësimi i fëmijëve, traumat si dhe një pëllëmbë e dhënë herë pas herë nuk quhet dhunë. Dhuna konsiderohet e tillë sikur edhe ti bërtasësh një fëmije, të paktën kështu pohohet nga specialistët. Më tej ata vazhdojnë se me fëmijët jo vetëm prindërit por edhe mjekët duhet të jenë sa më të afërt pasi edhe një vrenjtje fytyre shkakton një lloj dhunimi tek ta.Më i rrezikshëm akoma është fakti se fëmijët në vendin tonë po kërcënohen nga dhuna psikologjike, dhunë e cila lë pasoja të rënda tek ta, duke ndikuar edhe në formimin e karakterit si dhe në shfaqjen e mëvonshme të sëmundjeve të ndryshme psikologjike. Me sa duket dhe sipas të gjitha të dhënave, në vendin tonë akoma ecet me mendim se druri bën mirë, ndaj dhe mjekët nuk janë të mirinformuar në çështjet e dhunës tek fëmijët dhe në familje.
Mjekë e familjes dhe shkollave nuk dallojnë shenjat e dhunës
Mjekët e familjes dhe të shkollave duhet të kenë më tepër njohuri rreth vendeve ku mund të adresohen fëmijët e dhunuar, por dhe për rastet e shenjat e dhunës, fizike apo psikologjike të ushtruara ndaj tyre. Studimi i Institutit të Shëndetit Publik mbi vlerësimin e njohurive, qëndrimeve dhe nevojave të mjekëve të familjes dhe të shkollave për dhunën ndaj fëmijëve vëren se rreth 85 për qind e mjekëve të familjes nuk njohin siç duhet shenjat e dhunës ndaj fëmijëve, ndaj kanë nevojë të trajnohen. Nga studimi, i kryer mbi qëndrimin e tyre ndaj dhunimit të fëmijëve, apo aftësisë për të dalluar simptomat psikosomatike tek një fëmijë i dhunuar, si dhe njohurive rreth përgjegjësive të tyre ndaj një fëmije të dhunuar, rezulton se 58 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë ironizimin dhe frikësimin ndaj fëmijëve. Ndërkohë, 62 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë mungesën e afeksionit dhe vëmendjes. Bazuar në studim, 26 % e tyre raportojnë se nuk janë përballur me një fëmijë të dhunuar. Ndërsa, 80 % nuk i kanë raportuar këto raste dhe kjo për shkak se 64 % e tyre pohojnë se nuk është detyrë e tyre të raportojnë fëmijët e dhunuar.
Për mjekët tanë vetëm druri i rëndë është dhunë
Një përqindje e lartë e mjekëve nuk konsiderojnë dhunë, jo vetëm atë fizike me gjuajtjet me pëllëmbë, apo shkuljen e flokëve, por edhe frikësimin apo kërcënimin për braktisje dhe heqje të drejtash. Kjo mungesë njohurie mbi format e dhunës, bën që mjekët të jenë pasivë ndaj parandalimit të këtyre sjelljeve. Referuar të dhënave të studimit, specialistët e ISHP e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm dhe imediat trajnimin e mjekëve të familjes për të ndryshuar njohuritë, qëndrimet dhe sjelljet ndaj fëmijëve të dhunuar. Në studim u përfshinë 200 mjekë familjeje dhe shkollash të Tiranës (50 mjekë shkollash dhe 150 mjekë familjeje), të cilët kanë plotësuar pyetësorin përkatës gjatë periudhës shkurt-prill 2009. Ky pyetësor mbledh të dhëna rreth qëndrimeve të mjekëve ndaj dhunimit të fëmijëve, aftësisë së tyre për të dalluar simptoma psikosomatike tek një fëmijë i dhunuar, njohurive rreth përgjegjësive të tyre ndaj një fëmije të dhunuar dhe nivelit të informimit të tyre mbi institucionet, ku mund të referohen këta fëmijë. Nëpërmjet pyetësorit janë marrë të dhëna edhe rreth nevojave të mjekëve në këtë fushë, për të trajtuar në mënyrë sa më efiçente rastet e fëmijëve të dhunuar, si dhe për të parandaluar këtë fenomen. Sipas specialistëve, një fëmijë quhet i dhunuar edhe kur e fyen, ironizon, frikëson, e lë pa vëmendje apo dhe e tremb se do ta lësh vetëm, apo se do ti heqësh disa nga të drejtat e tij, nëse vazhdon të gabojë. Të gjitha dënimet si dhe ndëshkimet që i jepen fëmijëve, qofshin ato edhe të lehta, janë të dëmshëm për fëmijën. Ato e dëmtojnë shumë si nga ana psikologjike ashtu edhe nga ajo shpritërore. Sipas specialistëve me fëmijët duhet një gjuhë komunikimi sa më e koklavitur dhe e matur në mënyrë që të mos cenohet fëmija për ndryshe do ketë pasoja tek fëmijët duke filluar nga ato më të ulëta deri tek më të rëndat.

Last Updated on Thursday, 18 June 2009 12:21

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›