Durrës, kryebashkiaku Dako prezanton projektin madhor për lagjen 18
Në prani të dhjetëra banorëve të lagjes 18, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush dako ka prezantuar një projekt gjigand të rehabilitimit të kësaj lagjeje. Bëhet fjalë për projektin e rehabilitimit të territorit të blloqeve të pallateve në lagjen 18. Ky projekt i cili është miratuar dhe i janë akorduar edhe fondet, do të ndryshojë rrënjësisht të gjithë këtë lagje.
Ky rehabilitim do të kryhet me fondet e bashkisë së Durrësit me vlerë prej 120 milionë lekë të rinj dhe parashikon kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha, ndriçim, gjelbërim, 3 fusha sporti për fëmijët si dhe mbjelljen e 70 pemëve. Ndërkaq, është parashikuar të shtrohet me asfalt një sipërfaqe prej 6000 metër katror. E gjithë kjo lagje e cila ka qenë tepër problematike në infrastrukturën midis pallateve e sidomos për kanalizimet, do të kthehet në një zonë moderne banimi me lulishte, rrugica e rrugë të asfaltuara dhe kënde sportive për fëmijët. Ndërkaq kryebashkiaku Dako u shpreh se pas realizimit të këtij projekti bashkia do të fillojë punën për rikonstruksionin e 3 rrugëve të fundit që kanë mbetur pa u shtruar në këtë zonë.Vetëm për vitin 2009 ne do të investojmë në infrastrukturë përveç këtij projekti prej 70 milionë lekë të rinj. Kemi premtuar rehabilitimin e gjithë kësaj zone dhe sapo filluam ta bëjmë realitet. Ne do të vazhdojmë në punën tonë për përmirësimin e infrastrukturës kudo në qytet sepse do të bëjmë realitet premtimin tonë që çdo qytetar i Durrësit do të shkelë në asfalt në çdo rrugë apo rrugicë të qytetit, ka premtuar Dako.