Topalli: Gratë, në fokus të fushatës elektorale të PD
Partia Demokratike ka vendosur gratë në fokusin e fushatës së saj elektorale, duke besuar se janë gratë ato që sjellin ndryshimin, shpresën dhe suksesin, jo vetëm në familjet e tyre, por edhe në shoqëri. Me këtë bindje, prej gati një viti dhe tani me dinamizëm, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, po realizon një program takimesh dhe bisedash me zonjat dhe të rejat në të gjithë vendin.
Lejtmotivi është vendosmëria për të ecur përpara, të gjitha së bashku për të vazhduar ndryshimin dhe për të realizuar ëndrrën europiane të fëmijëve të tyre. Në këtë tur Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, si nënë dhe si bashkëshorte po u premton grave se do të jetë avokatja e çështjes së tyre. Ndër të tjera, Topalli vlerëson të rëndësishëm përcjelljen e këtij mesazhi për ndërgjegjësimin e gruas, për përfshirjen e saj në jetën politike, në vendimmarrje dhe në reformat sociale.