E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morën pjesë në mitingun e PS, shkarkohen nga puna 2 naftëtarë

Dy banorë të komunës së Hekalit në rrethin e Mallakastrës, të cilët prej 20 vitesh punonin në sektorin e naftës, kanë humbur vendin e punës vetëm për faktin e pjesëmarrjes së tyre në një takim elektoral. Lajmin e bëjnë të ditur vetë viktimat që e pësuan nga kjo fushatë. Qani Begaj dhe Muharrem Asllanaj, dy ditë më parë kanë qenë të pranishëm në Hekal në një takim që kishin organizuar kandidatët e Partisë Socialiste Ermelinda Meksi, Gramoz Ruçi dhe Pirro Lutaj. Në këtë takim, kanë marrë pjesë edhe dhjetëra banorë të tjerë të zonës. Gjithashtu në këtë takim ishin edhe Qani Begaj, i martuar dhe me fëmijë si dhe Muharrem Asllanaj, babai i katër fëmijëve. Por ky qëndrim i tyre në këtë takim ka rënë në sy të punëdhënësve dhe fill pas kësaj dy shtetasit sapo kanë hyrë në ndërmarrjen e elektrikut të naftës ku dhe punojnë prej më shumë se 20 vjetësh, u është komunikuar largimi nga puna. Zyrtarisht, si unë edhe Muharremi nuk kemi marrë ende një motivacion përfundimtar për largimin nga puna por verbalisht na u komunikua ky pushim për faktin që ne morëm pjesë në mitingun e PS, ka deklaruar Qaniu. Të dy të larguarit pa motivacion real nga puna, janë shprehur se do të ndjekin rrugën ligjore për të denoncuar presionin dhe përndjekjen politike që po u bëhet. Ndërkohë duhet thënë se selia e PS-së së Fierit dhe shtabi qendror elektoral për qarkun e Fierit kanë dalë disa herë në konferenca shtypi ditët e fundit, ku kanë denoncuar raste të panumërta të largimit nga puna të personave që marrin pjesë në takimet elektorale. Ndërkohë mësohet se të gjithë sektorët janë prekur nga shkurtime të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›