E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjet banesa e kandidatit për deputet të PR, 60 mijë euro dëmi

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë shtëpinë e kandidatit për deputet të Partisë Republikane të Lushnjës, Edison Lipe, i cili është njëkohësisht dhe drejtor i spitalit të Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Skënder Libohova dhe si pasojë e flakëve është alarmuar e gjithë lagjja. Të parët që kanë pikasur flakët, kanë qenë banorët fqinjë me kandidatin dhe më pas janë njoftuar familjarët e Lipes. Të ndodhur në vendin e ngjarjes, fqinjët tregojnë se ishte një flakë krejt e papritur pasditen e së dielës, e cila më parë nuk kishte lënë të kuptohej asgjë. U trembëm vetëm nga fakti që ndryshe nga sa ndodh në raste zjarresh, këtë radhë flakët dolën me furi nga çatia e shtëpisë. U krijua përshtypja sikur pati shpërthim, por pa zhurmë. Menjëherë kemi lajmëruar policinë nëpërmjet numrit falas dhe ata kanë mbërritur aty për pak minuta. Ne e patëm të vështirë të ndërhynim për të lokalizuar flakët, pasi edhe terreni ishte i vështirë. E vetmja gjë që bëmë, ishte lagia e terrenit jashtë shtëpisë së shkrumbuar, me qëllim që të mbronim banesat e tjera të cilat rrezikuan të përfshiheshin nga flakët, tregon Spiro Dine, një nga fqinjët e Lipes. Ndërkaq, e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e zjarrfikëseve të cilat i kanë ardhur në ndihmë situatës. Por gjithçka ka qenë e kotë pasi  zjarri, sipas ekspertëve mund të ishte zhvilluar për një kohë të gjatë brenda ndërtesës për shkak të terrenit dhe mendohet që flakët të kenë shpërthyer në çastin e fundit. Kështu, si pasojë e flakëve gjithçka është djegur dhe sipas një vlerësimi paraprak mendohet që dëmi të shkojë në një shumë prej 60 mijë euro. Në banesën e tij, kandidati për deputet i PR-së, njëkohësisht drejtor i spitalit kishte lënë edhe një hapësirë të caktuar të cilën e përdortë për vizita mjekësore në mënyrë private. Kjo mendohet se mund të ketë shkaktuar edhe zjarrin, pasi  një pjesë e mirë e pajisjeve ekzaminuese që ndodheshin në klinikë kërkonin instalime të reja elektrike për shkak të ngarkesës së rrjetit elektrik. Gjithsesi, ende nuk është dalë në një përfundim konkret rreth shkakut të vërtetë të kësaj ngjarjeje. Deri tani ekzistojnë disa pista në të cilat policia është mbështetur për hetimet rreth shkaqeve të zjarrit që shkrumboi gjithçka që ndodhej në banesë. Nga hetimet e para është mësuar se nuk mund të përjashtohet edhe shkaku i zjarrvënies me qëllim, por gjithsesi kjo do të vijojë të jetë pjesë e hetimit. Shkak i zjarrit mund të ketë qenë një qark i shkurtër elektrik në pajisjet ekzaminuese mjekësore të klinikës private të mjekut, por ende nuk mund të flasim. Do të shohim të gjitha mundësitë e hetimit, kanë bërë të ditur burime nga policia e Lushnjës. Ndërkohë, ajo çka vlen të theksohet është fakti se cilido që të jetë shkaku i zjarrit, familja Lipe ka mbetur në qiell të hapur dhe me një bilanc ekonomik zero. Flakët kanë shkatërruar gjithçka që ndodhej brenda ambienteve madje edhe një sasi lekësh që ndodhej në banesë, e cila ende nuk është bërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›