Durrës, luftë me leva mes 3 personave, e pëson 10 vjeçarja
Tre persona kanë përfunduar në spital mesnatën e së enjtes, kur tre vëllezër kanë rrahur me leva e thika një shtetas, pronar karburanti dhe të birin 17 vjeçar. Gjatë sherrit, kanë ndërhyrë dhe policët, të cilët autori i ngjarjes ka tentuar ti shtypë me makinë. Në ikje e sipër ai ka aksidentuar rëndë një vajzë 10 vjeçare.
Policia e Durrësit sqaroi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23:45 në lagjen nr.14 në Durrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, shtetasi Bujar Luzi me profesion fadromist në bashkëpunim me dy vëllezerit e tij, Agronin dhe Flamurin kanë shkuar në karburantin e shtetasit Gëzim Nikoci dhe e kanë goditur me mjete të forta, si leva e shpata, atë dhe të birin 17 vjeçar. Ndërkohë, autori kryesor i ngjarjes, Bujari është konfliktuar edhe me dy policët e autopatrullës, të cilët tentoi ti shtypë me makinë në momentin që ata ndërhynë për të ndarë sherrin. Po ashtu, në largim e sipër, autori Bujar Luzi ka shtypur me makinë aksidentalisht të miturën Anisa L., 10 vjeçe më banim në këtë lagje. Vajza e vogël ka përfunduar në spital me thyerje këmbë dhe dëmtim të ligamenteve. Po kështu nën mjekim janë edhe babë e birë që ishin pre e sulmit. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta në karburantin e shtetasit Gëzim Nikoci në lagjen nr.14, ku Bujar Luzi pretendon se ka kryer një volum pune me mjetet e tij në vlerën 6.000.000 lek të reja dhe nuk i janë paguar lekët nga Gëzim Nikoci, gjë të cilën ka pretenduar ta zgjidhë duke kryer veprimet e lartpërmendura. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale një shpatë metalike, një tub hekuri, mjeti fuoristradë Mitcubishi me targa DR 9096 E, që ka qenë automjeti i kryerjes së krimit. Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Flamur Luzit, 47 vjeç, lindur dhe banues në Durrës për veprën penale të parashikuar nga nenet 89 , 25 e 279 të Kodit Penal. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për fillimin e procedimit penal për veprat penale Vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë, Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, Largim nga vendi i aksidentit, parashikuar nga nenet 79/dh, 22, 279, 290/1 e 273 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Bujar Luzi