E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u premton të rinjve në Bllok, lëvizje të lirë ne BE

Kryeministri Berisha ndryshe nga herët e tjera, ka thyer stilin zyrtar të takimeve në këtë verë të nxehtë elektorale për të kaluar pasditen me të rinjtë në një nga baret e kryeqytetit në zonën e njohur si ish-Blloku. Kryeministri ka zgjedhur këtë formë për të biseduar me të rinjtë e ndarë me ta spontanisht mendime edhe për programin e ri qeverisës së demokratëve. Të rinjtë kanë diskutuar me kreun e qeverisë për politikën e ditës, fushatën elektorale por edhe për programin e mazhorancës duke dëgjuar vlerësimet dhe sugjerimet e tyre. Këtu ishte rasti për të theksuar se arsimi sipas standardeve më të mira europiane, punësimi, si dhe lëvizja e lirë brenda vitit të parë të mandatit të dytë renditen si prioritare në program. Kryeministri ka përsëritur edhe në këtë takim të veçantë premtimin e tij se përsa kohë do të jetë në politikë do të angazhohet që çdo i ri shqiptar të mund të arsimohet brenda dhe jashtë vendit ndërsa ka ripërsëritur premtimin se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, të rinjtë do lëvizin lirshëm në hapësirën Shengen. Gjithashtu, me të rinjtë kryeqytetas, kryeministri ka diskutuar mbi elementë të fushatës së demokratëve. Rrallë herë qëllon që kryeministrit të vendit në bashkëbisedim direkt të mund ti japësh ide dhe sugjerime mbi axhendën zyrtare sidomos në periudhë zgjedhjesh. Këtë luks kryetari i qeverisë Sali Berisha ua krijoi këtyre të rinjve duke e parë dhe si një ogur të mirë për fushatën e demokratëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›