E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi i fëmijëve, fenomen i paminimizueshëm në vendin tonë

Punësimi i fëmijëve arrin në shifra alarmante deri në 40 mijë ndërkohë që Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ka arritur që të kthejë vetëm 300 prej tyre. Pas rikthimit në shkollë të 300 fëmijëve në rrethet Tiranë, Korçë e Berat, të cilët punonin në rrugë, të trafikuar, apo në risk trafikimi, do të nisë faza e dytë e projektit Sistemi i monitorimit të punës së fëmijëve në Shqipëri, mbështetur nga Programi IPEC (ILO).
 Përmes fazës së dytë të këtij projekti do të përfitojnë shumë shpejt edhe rreth 350 fëmijë të tjerë, që punojnë në Tiranë, Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Berat, konfirmoi zv/ministrja e Punës, Marjeta Zaçe, në një takim me rastin e Ditës Botërore të Luftës Kundër Punës së Fëmijëve, të organizuar me bashkëpunimin e Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar në Hotel "Tirana International". Në këtë takim, ku edhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) promovoi Ditën Botërore të Luftës Kundër Punës së Fëmijëve, u vlerësua se faza e parë e projektit për kthimin e fëmijëve që punojnë në shkolla ka rezultuar e suksesshme. Edhe në fazën e dytë të tij në fokus për fëmijët do të jetë krijimi i mëtejshëm i alternativave si arsimimi, formimi profesional, punësimi i ligjshëm dhe ndihma për familjet e tyre, me synim integrimin e fëmijëve në jetën sociale, u shpreh Zaçe. Në kuadër të këtij, projekti, Zaçe tha se 265 fëmijë do të asistohen për tiu rikthyer shkollës, për 50 fëmijë të tjerë do të sigurohet formimi profesional dhe për 15 prej tyre do të sigurohen mjetet për krijimin e një biznesi familjar.
Shkencat Sociale, lëndë e posaçme për punën e fëmijëve
Çështja e punës së fëmijëve do të përfshihet në kurrikulën e vitit të dytë të Fakultetit të Shkencave Sociale - Dega Punë Sociale. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve, në Fakultetin Filologjik, Njësia e Monitorimit të Punës së Fëmijëve në Ministrinë e Punës dhe Qendra Kombëtare për Studime Sociale, me mbështetjen e Katedrës së Punës Sociale - pranë Fakulteti të Shkencave Sociale, u organizua një cikël leksionesh të hapura me temë Puna e fëmijëve dhe përgjigjja me politika dhe programe efikase për ta eliminuar atë. Organizimi i këtyre leksioneve kishte si synim  përfshirjen e çështjes së punës së fëmijëve në kurrikulat e degës së Punës Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale. Sipas një raporti të nxjerrë nga Zyra Ndërkombëtare e Punës, për Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve me 12 Qershor, kriza globale mund të shtyjë një numër të madh fëmijësh, veçanërisht vajzat, në punë. Raporti i ONP-së, i  titulluar  Ti japim mundësi vajzave: Trajtimi i punës së fëmijëve, një çelës për të ardhmen, vëren se ndërsa vlerësimet dhe studimet e fundit globale tregojnë se numri i fëmijëve të përfshirë në punë është duke rënë, kriza financiare kërcënon ta  dëmtoje këtë progres.
Ne kemi parë progres të vërtetë në pakësimin e punës së fëmijëve. Politikat e zgjedhura në krizën e tanishme do të jenë një test i përkushtimit kombëtar dhe global për të vazhduar këtë betejë, është shprehur drejtori i përgjithshëm i ILO, Juan Somavia. Raporti thotë se rreziku që vajzat të detyrohen në punë lidhet me faktin se në shumë shtete familjet i favorizojnë djemtë në vendimet e tyre për arsimin e fëmijëve. Konstatohet se për shkak të rritjes se nivelit të varfërisë si rezultat i krizës, familjet e varfëria me një numër të madh fëmijësh, mund të detyrohen të bëjnë zgjedhje se cilin prej fëmijëve ta dërgojnë në shkollë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›