E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, maskat sulmojnë një shtëpi

Kthehen maskat në Durrës. Tre anëtarë të një familjeje kanë mbetur të plagosur në përleshje me maskat që u janë futur në shtëpi gjatë natës për të marrë ç‘të mundin në të. Dy persona të maskuar dhe me sende të forta në duar janë futur në një shtëpi fshati duke tentuar të grabisin të zotët e saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rrushbull, pak kilometra larg qytetit të Durrësit. Kryefamiljari ka diktuar praninë e njerëzve të huaj në shtëpi dhe ka ndërhyrë duke u përleshur me personin e parë të maskuar që është futur në shtëpi. Agresori i maskuar i ka goditur të zotët e shtëpisë me një shkop të fortë, duke u shkaktuar plagë në trup, ndërsa bashkëpunëtori i tij nuk është përfshirë në përleshje. Ai është larguar menjëherë duke iu shmangur ngjarjes që kishte marrë tjetër rrjedhë në një orë të vonë të natës kur mendohej se të zotët e shtëpisë kishin rënë në gjumë. Nga dëshmitë e anëtarëve të familjes, Berberi, të cilët janë shtruar në spitalin e Durrësit për shkak të plagëve të marra rezulton se kanë qenë dy persona që u kanë hyrë në shtëpi, duke u futur brenda nëpërmjet dritares së banjës. Zenel Berberi 62-vjeçar, i zoti i shtëpisë, e ka dëgjuar zhurmën dhe është përballur me ta, duke ndezur dritën. Aty kanë kuptuar që maskat kanë sulmuar shtëpinë, ndërkohë që familja nuk është në kushte të mira ekonomike. Ka nisur përleshja midis tyre, ndërkohë që personi i dytë është larguar duke lënë në tokë maskën. Në ndihmë të Zenelit ka shkuar e shoqja, Ikbalja, 58 vjeçe, dhe më pas atyre u është bashkuar vajza e tyre 25-vjeçare, A.Berberi. Të tre anëtarët e familjes janë goditur nga grabitësi dhe kanë marrë plagë të rënda në trup. Ngjarja ka ndodhur në minutat e para të ditës së djeshme. Burime nga grupi hetimor thanë se nga veprimet e para hetimore duket se është fjala për hajdutë ordinerë, të cilët nuk e kanë studiuar më parë planin e tyre dhe as nuk kanë qenë në dijeni të gjendjes ekonomike të familjes që kanë piketuar të vjedhin. Berberët njihen si familje me të ardhura të pakta në zonën e Rrashbullit. Paraprakisht mendohet se autori i ngjarjes është një i vetëm dhe se ai mund të ketë pasur dy mbështetës të cilët kanë qëndruar jashtë implikimit të drejtpërdrejtë në krim. Autori ka lënë gjurmë dhe burimet policore bëjnë të ditur se identifikimi do të jetë i shpejtë, veçanërisht nëse bëhet fjalë për individ të njohur nga policia për kryerjen e vjedhjeve të tjera. Megjithatë, viti i fundit ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të vjedhjeve në rrethin e Durrësit, shkak i varfërisë dhe papunësisë së theksuar që gjithashtu ka njohur rritje gjatë 2008-s. Para se të futet në shtëpinë e familjes Berberi, autori mësohet se ka ndaluar në një shtëpi në ndërtim aty pranë ku ka konsumuar disa fruta të lëna nga punëtorët. Ky fakt dhe gjurmë të tjera që janë gjendur në shtëpinë e dhunuar janë marrë dhe pritet që të ndihmojnë në gjetjen e shpejtë të autorit dhe ndihmësve të tij. Pasi ka ngrënë portokajtë e gjetur në shtëpinë në ndërtim, grabitësi ende pa emër është futur me një copë dru të fortë në dorë, në shtëpinë e Zenelit, ku nuk ka arritur të vjedhë asgjë. I mbetur vetëm ka nxituar t‘u shkëputet nga duart bashkëshortëve dhe vajzës së tyre së cilës i ka ngelur në dorë maska e hajdutit, që është larguar në errësirë. Ndërkaq, burime nga spitali i Durrësit bënë të ditur se tre pjesëtarët e familjes Berberi që janë plagosur duke u qëlluar me mjete të forta janë jashtë rrezikut për jetën. Ky është rasti i parë për këtë vit i shfaqjes së grabitësve me maska në Durrës. Në dhjetorin e vitit të kaluar, një i ri i maskuar tentoi të vidhte me armë fitimet ditore të një pike karburanti. Ai u identifikua dy javë më pas dhe në prag të Vitit të Ri u vu në pranga nga blutë e Durrësit që premtojnë të zbardhin dhe rastin e fundit të shfaqjes së maskave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›