Policia i bllokon një pistoletë speciale një adoleshenti
Kapja e një arme speciale pas një telefonate në sallën operative të policisë, pritet të zbardhë ndonjë krim të mundshëm të kryer me të. Pistoleta speciale e markës "Manjum" që ishte blerë në Maqedoni është dërguar për ekspertizë balistike në laborator, ndërsa zotëruesi i saj, një 18-vjeçar nga Durrësi është arrestuar nga policia e qytetit-port. Arma që iu gjet në brez 18-vjeçarit është një armë tipike që përdoret nga bandat kriminale në aktivitetin e tyre dhe ka një saktësi të madhe në të shtënë. Në orën 23:45 të ditës së enjte, shërbimet policore arrestuan në flagrancë shtetasin Xhildo Kolaj, me banim në Shkozet, pasi rreth orës 19:00 të kësaj dite salla operative e Drejtorisë së Policisë u njoftua nëpërmjet një telefonate se në lokalin "Shpella Blu", përbri Pallatit të Sportit, ndodhej një person i armatosur. Menjëherë në lokal kanë shkuar shërbimet e policisë dhe duke qenë në kushte të flagrancës bënë kontrollin në ambientet e brendshme të lokalit, ku kapën Kolajn me armën në brez. Ai ndodhej në një nga tavolinat e lokalit, së bashku me disa shokë të tjerë dhe arma iu bllokua në cilësinë e provës materiale. Dyshohet se me këtë pistoletë mund të jenë kryer disa krime ende të pazbardhura në Durrës, po nuk përjashtohet përdorimi i saj dhe në zona të tjera të vendit për arsye kriminale.