E Hënë, 2 Nëntor 2026

Olldashi inspekton punimet në infrastrukturën rrugore

Punimet që janë duke u kryer në projektet më të mëdha të infrastrukturës rrugore në rajonin e Sarandës, duke nisur nga ajo për rrugën hyrëse për në Sarandë e deri në aksin Qafëbotë-Qafëgjashtë dhe në atë të Bregdetit, janë inspektuar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka. Inspektimi i Olldashit ka nisur nga Qafëbota. Megjithëse në një terren të vështirësuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit, makineritë e rënda të firmës AEGEK në aksin rrugor Qafëbotë-Qafëgjashtë, janë gjetur në punë. Ministri ka vlerësuar përgjithësisht të mirë ecurinë e punimeve në investimin më të madh në Qafëbotë, të nisura prej muajit maj të vitit kaluar, pas përurimit të tyre nga vetë Kryeministri Berisha. Një ndalesë e tij ka qenë në Komunën e Livadhjasë, nga kalon aksi i rrugës Qafëbotë-Sarandë. Irodhi Dalani, kryetar i Komunës së Livadhjasë, tha se ministri Olldashi ka vendosur si objektiv që deri më 15 majin e këtij viti rruga të mbarojë. Një tjetër premtim i ministrit të Transporteve ka qenë ai për financimin e ujësjellësit të ri të kësaj komune.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›