Kapet në Durrës "banditi" i dënuar nga drejtësia italiane
Një person i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike dhe krijim e drejtim organizatash kriminale kapet në një lokal të Durrësit. Klaudio Tola ka qenë duke qëndruar qetësisht në një lokal në Shkozet të Durrësit bashkë me vëllain kur agjentë të grupit operacional të policisë i kanë kërkuar ta shoqërojnë në komisariat për një sqarim. 32-vjeçari nga Xhafzotaj nuk ka menduar se shoqërimi do t‘i kthehej në arrestim dhe pa bërë rezistencë i ka ndjekur policët. Rreth orës 16:00 të ditës së premte është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Durrësit për njohjen e vendimit të dhënë nga Gjykata e Milanos më 10 korrik të vitit 2001. Drejtësia italiane e ka dënuar Tolën në mungesë me 7 vjet e gjysmë heqje lirie, pasi e ka gjykuar fajtor për veprat penale të krijimit dhe drejtimit të organizatave kriminale dhe kryerjes së trafikut të lëndëve narkotike. Tola ka mbetur i habitur kur i është komunikuar arrestimi, pasi nuk ishte në dijeni se ishte në kërkim edhe në vendin e tij. Ndërkohë, policia deklaron se me të mbërritur materialet me vendimin dhe emrin e të dënuarit është organizuar puna për kapjen e tij. Ndërkohë, këtyre veprimeve u ka paraprirë gjykata e rrethit me një vendim të marrë paraditen e së premtes, rreth orës 09:00, për njohjen e vendimit të dhënë nga togat e zeza të Milanos.