E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, tabela çorientuese për turistët

Në ditët e fundit të vitit 2008, në akset rrugore kombëtare në Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë është instaluar një sinjalistikë e re me tabela që tregojnë vendet dhe pikat turistike dhe monumentet kulturore për vizitorët vendas dhe të huaj. Përmasat dhe ngjyra kafe me të bardhë tregojnë se në rrugët dhe akset kryesore rrugore të vendit më në fund udhëtari mund të orientohet nëpërmjet një standardi të ri perëndimor dhe mund të marrë informacion të bollshëm për vendet turistike, për monumentet e kulturës dhe të natyrës, për gjeomonumentet dhe sitet arkeologjike që ndeshen në çdo kilometër të udhëtimit. Udhëtari që hyn në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, që udhëton nga Saranda në drejtim të Tiranës apo anasjelltas, nëpërmjet këtij sistemi të ri informimi në përshtatje të plotë me standardet evropiane të sinjalistikës rrugore, të vendosura në të dyja anët e këtij rrjeti të rëndësishëm rrugor, ka mundësinë të njihet me dhjetëra e dhjetëra monumente dhe të përzgjedhë ato të cilat dëshiron që t‘i vizitojë. Aq të shpeshta e të shumta janë monumentet e kulturës dhe natyrës në rajonin jugor të vendit, sa që në disa raste në një bazament anës rrugës janë vendosur ndonjëherë deri në 10 - 12 tabela dhe udhëtari e ka të vështirë të rrokë me një vështrim në lëvizje gjithë këtë informacion dhe i duhet të ndalojë automjetin për t‘i lexuar të gjitha.

Megjithatë, në pozicionet e vendosjes së kësaj sinjalistike, në gjuhën treguese dhe informuese të përdorur, emërtimin e fshatrave ku janë vendosur, në emërtimin e objekteve dhe monumenteve të kulturës, trashëgimisë kulturore dhe natyrore sistemi ri i sinjalistikës turistike mund të ishte edhe më i studiuar në disa pikëpamje dhe të përfshinte në vetvete edhe elemente të toponimisë vendore, mendimin e ekspertëve të monumenteve dhe të komuniteteve vendase. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen në këtë aspekt është fakti se në disa prej tabelave treguese mungojnë disa elemente informative të patolerueshme sikurse është periudha historike të cilës i përkasin monumentet të lashtësisë apo edhe distancat nga vendi i ekspozimit të këtyre tabelave rrugore deri tek objektet që tregohen në to.

Kështu, në tabelën e vendosur në zonën e Dropullit të Poshtëm, në afërsi të teatrit dhe qytetit të lashtë të periudhës romake të Hadrianopolit, është shënuar emërtimi "Rrënojat e teatrit antik të Sofratikës", ndërkohë që arkeologët vendas si Apolon Baçe e Neritan Ceka, e kanë identifikuar këtë qendër të rëndësishme të lashtësisë me emrin Hadrianopol, për nder të themeluesit të tij, Perandorit, romak Hadrian. Nëse në tabelë do të shënohej emri i qytetit dhe teatrit dhe periudha historike të cilës i përkiste, kjo gjë do të tërhiqte edhe më mirë interesin e udhëtarit apo turistit, sepse vetë tabela do të jepte kështu një informacion më të plotë dhe më shkencor.

Të njëjtën problematikë në vendosjen e tabelave e ndesh në sinjalistikën e re të instaluar së fundi edhe brenda qytetit muze të Gjirokastrës. Vihen re pothuajse të njëjtat defekte dhe pasaktësi në vendosje edhe ne emërtimet e objekteve në shërbim të vizitorit vendas dhe të huaj. Përfund sheshit të "Çerçizit" është vendosur një tabelë dyshe, njëra prej të cilave shkruan "Stera e Babocateve", por sipas ekspertëve të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve, ky objekt është shkatërruar qysh para 20 vjetëve. Në një pikë tjetër të qytetit muze ka një tabelë ku shënohet "Banjat e Meçites", ndërkohë që ky si emërtim nuk përfshihet në listën zyrtare të monumenteve dhe pranë tabelës ndodhet një monument i njohur me emrin "Hamamet e Meçites". Ekspertët e monumenteve në këtë qytet thonë se në ato pak tabela që janë vendosur brenda qytetit janë harruar shumë nga objektet monumentale më të njohura dhe nuk pasqyrohet asnjë nga muzetë e qytetit. Ndërsa kur tabelat treguese për qytetin e lashtë të Antigonesë, sit i cili prej vitit 2006 funksionon edhe si "Park Arkeologjik i Antigonesë", në dy prej tabelave shkruhet, "Kalaja e Jermës Saraqinisht", emërtim ky i përdorur para zbulimit dhe identifikimit të kësaj perle të antikitetit qysh para vitit 1970, para se aty të nisnin ekspeditat arkeologjike të prof. Dhimosten Budinës.

Sistemi i ri sinjalistik mund të përfshinte edhe mjaft objekte të tjera të historisë dhe natyrës si Guva e Skotinisë, manastiri i Ravenës, kalaja e lashtë e Palokastrës, kalaja mesjetare e Kardhiqit, varrezat e Valaresë, qyteti antik dhe Teqeja e Melanit, Guri i Zhulatit, Mëma e Viroit, Varri Monumental i Jorgucatit, banesat me vlera të rralla arkitekturore në Gjirokastër, si ato të: Skëndulatëve, Zekatëve, Ficove, Kadareve, Kabilateve, Kikinove, ura monumentale të Leklit, Kordhocës, Nivanit, Oshteves, Grapshit dhe Goricës.

Sinjalistika e re turistike është pa dyshim një arritje, por do të ishte më e plotë nëse ky projekt i rëndësishëm i financuar nga Banka Botërore të ishte konsultuar me institucionet e shumta të trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe me strukturat vendore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›