E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, arrestohet për drogë i riu që kapi kryqin më 6 janar

Arrestohet në Korçë i riu që pak ditë më parë fitoi kryqin në ditën e ujit të bekuar. Si për ironi të fatit, simboli fetar duket se nuk i ka sjellë fat të mbarë njeriut që fitoi kryqin duke u hedhur në ujin e ftohtë në këto ditë dimri. Ai është vënë në pranga dje nga policia e Korçës. Pak ditë më parë 27-vjeçari Olger Tona ishte në qendër të vëmendjes së gjithë besimtarëve ortodoksë, të cilëve u zgjati kryqin e fituar për t‘u sjellë mbarësi. Por gëzimi i tij nuk ka zgjatur shumë. Nuk kanë kaluar as tri ditë nga mbajtja e kryqit të bekuar në shtëpi dhe në derën e 27-vjeçarit kanë trokitur forcat e policisë. Policia ka thënë se Olger Tona është arrestuar për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Ka qenë një kontroll i befasishëm në banesën e tij që ka çuar në këtë arrestim. Policia ka thënë se gjatë një kontrolli në banesë, atij ju gjetën 5 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Sipas burimeve të policisë lokale, 27 vjeçari është arrestuar në kushtet e flagrancës në orën 22:15 të së enjtes. Ai ka qenë i dyshuar si shpërndarës i lëndëve narkotike në qytetin e Korçës. Në bazë të informacioneve që dispononte, policia ka kryer një kontroll në banesën e të riut dhe aty ka gjetur një qese plastmasi si ajo e paketës së cigareve, e cila përmbante 5 gramë lëndë narkotike. Olger Tona kishte arritur për dy vite me radhë të kapte kryqin në ditën e ujit të bekuar, por sakrifica që mund ta ketë pastruar përballë Zotit e ka lënë njëlloj të dyshuar për policinë, e cila e akuzon për shpërndarje të lëndëve narkotike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›