E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, mblidhet KRRT, diskutohen investimet publike

Është mbledhur pas më shumë se 5 muaj KRRT e qytetit të Durrësit. Nga 19 zëra në investime publike mbetet jashtë miratimit projekt ideja për sheshin Iliria, për shëtitorën Taulantia dhe një seri lejesh për sheshe ndërtimi. 

DURRËS- Është mbledhur pas më shumë se 5 muaj KRRT e qytetit të Durrësit. Nga 19 zëra në investime publike mbetet jashtë miratimit projekt ideja për sheshin Iliria, projekti për shëtitorën Taulantia si dhe një seri lejesh për sheshe ndërtimi brenda qendrës që ka tashmë një plan rregullues.

Në punët publike kalon ndërhyrja në kanalizimet e zonës pranë stacionit të trenit që njihet si shumë problematike gjatë sezonit të shirave, si dhe ndërhyrje të tjera në rrugë e ambiente në brendësi të blloqeve të banimit.
Kërkesa për shtyrjen e vendimeve që lidhen me sheshin Iliria dhe shëtitoren Taulantia vjen si pasojë e kërkesës së bërë nga disa anëtarë të KRRT që duan një seancë më vete për këto objekte të rëndësishme për qytetin.
Gjithsesi arkitekti italian Michele Cro ka sjellë projektin e fundit të sheshit me detyrat që iu lanë nga juria ndërkombëtare dhe i është përgjigjur pyetjeve që janë bërë nga anëtarët e KRRT. Sheshi është ndarë në tre zona, në mënyrë që realizimi i projektit të mos e bllokojë të gjithë sheshin, ndërsa kanë dalë në pah dhe elementët përbërës që janë shkallët e gjëra poshtë Xhamisë dhe pas Pallatit të Kulturës. Po ashtu janë bërë publike dhe kostot e realizimit. Mbledhja e ardhshme e KRRT do bëhet në datën 10 shtator, pasi vonesat dhe mos mbledhja e këtij organi kanë krijuar një seri dosjesh që presin të miratohen.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›