Durres mbyllen germimet arkeologjike zbulohen 92 varre heleniste

Pas tetë ditë gërmimesh ka shkuar në 92 numri i varreve të periudhës helenistike, të cilat janë zbuluar në një shesh ndërtimi në rrugën Aleksandër Goga në Durrës. Në ditën përmbyllëse të kërkimeve nën tokësore, arkeologët shprehen se kanë zbuluar 92 varre helenistike që datojnë nga periudha e shekullit të II para erës sonë e deri në atë të antikitetit tonë, të shekullit të 6, ndërsa dyshohet që një sipërfaqe akoma më e madhe të këtë shërbyer si varrezë. Mbikëqyrësi i zbulimeve arkeologjikë, Surja Lela, tha se tashmë është bërë i mundur indetifikimi i gjithë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit, i cili pritet të pasohet me zhvendosjen e eshtrave dhe objeketeve të tjera me vlerë historike e arkeologjike, për të vijuar më pas pastrimin dhe dokumentimin e tyre.
Krahas varreve, të klasifikuara si mjaft të rëndësishme për arkeologët janë edhe disa sende të tjera të gjetura si objektet prej qeramike, qelqi, metalike, monedha bronxi lehtësisht të datueshme, të cilat pritet ti nënshtrohen studimit.
Zbulimi i varreve helenistike janë konsideruar si një potencial i veçantë arkeologjik, për vetë tipet e varreve, të cilat janë ndërtuar në periudha të ndryshme. Mes këtyre varreve ka karakteristika të përbashkëta, por edhe anë të veçanta, të cilat do të jenë objekt studimi për arkeologët, siç janë varret me konstruksion me tulla, me tjegulla në formë çatie, me urna prej guri gëlqeror si dhe me urna amforash dhe qeramike. Ky fond i pasur arkeologjik , është menduar ti kalojë muzeut arkeologjik të durrësit, menjëherë pas inventarizimit dhe dokumentimit të plotë nga ana e studiuesve, me qëllim që të jenë të vizitueshme për personat e interesuar.