Perplasja mes dy te rinjve parandalohet vrasja

Policia e Tiranës ndërhyri në kohë mbrëmjen e të premtes duke ndalur një person që qëllonte me armë në drejtim të një bashkëmoshatari të tij.
Shërbimet e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës u detyruan të qëllonin dhe ato me armë në ajër për ta detyruar Ilir Pëllumbin, të mos qëllonte më dhe të dorëzonte pistoletën tip “TT”.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Unazës së Re me Rrugën e Kavajës, pranë vendit që njohet si pallati me Shigjeta. Pëllumbi kishte nisur të grindej me Fatmir Serianin, pasi ky e fundit e akuzonte se I ngacmonte një kushërirë.
Ka mjaftuar kjo grindje kaq banale qe Pëllumbi të merrte pistoletën dhe të qëllonte në drejtim të Serianit. Ky i fundit është goditur nga një plumb në dorë, dhe pas mjekimit të parë ndodhet plotësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja mund të kishte një fund më të keq nëse nuk do të kishte ndërhyrë policia në momentin kur Pëllumbit kishte dalë jashtë kontrollit dhe vazhdonte të qëllonte me pistoletë ndaj Serianit edhe pas plagosjes.