Gjimnazi i ri ministri Tafaj inspekton punimet

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka inspektuar nga afër punimet që po bëhen në ndërtimin e një godine të re për gjimnazin e Peshkopise pasi ish-mjediset e gjimnazit "Seid Najdeni" i janë vënë në dispozicion filialit të Universitetit të Durrësit "Aleksandër Moisiu" në Peshkopi .
Fillimisht Ministri Tafaj u njoh me punën që po bëhet në këtë godinë të re e cila pritet të hapë dyert e saj më 10 shtator në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor 2012 -2013 .
Sipas Ministrit të Arsimit në tërësi në qarkun e Dibrës me fondin rajonal të vitit 2011 është investuar për 12 objekte arsimore që do të vihen në shërbim të nxënësve dhe mësuesve në vitin shkollor që nis në shtator ndërkohë që me fondin e zhvillimit të rajoneve për vitin 2012 janë edhe 8 objekte të tjera ku gjimnazi i ri që po ndërtohet është një nga investimet më të mëdha, me standartet më të mira ndërkombëtare , me 32 klasa, kabinete, salla për mësues, laboratore, biblioteka dhe mjedise të bollshme sportive si brenda dhe jashtë shkollës, i cili pritet të përfundojë në fillim të vitit të ri shkollor .
Ministri Tafaj inspektoi dhe punimet që po bëhen për rikonstruksionin e godinës për filialin e universitetit.