Kuotat ne universitetet part-time

Këtë vit është rritur mundësia e studimeve me kohë të pjesshme në universitete. Janë rreth 10 mijë vende të lira, rreth 6% më shumë se një vit më parë. Ky projekt-Vendim i qeverisë i jep mundësinë më shumë kandidatëve, kryesisht atyre që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale, komuniteti rom, nga shtresa e ish të përndjekurve politikë apo atyre maturantëve që kanë aftësi të kufizuara.
Kuotat me programe të reja studimi, ofrohen kryesisht në universitetin e sporteve dhe në universitetin e Vlorës me forma të reja studimi.
Edhe për këtë vit, më të preferuarat mbeten programet e degës së ekonomikut dhe drejtësisë, pasi kuotat shkojnë në 300-400. Por për ata që janë të interesuar për universitetin bujqësor, ky i fundit ofron disa programe që lidhen me hortikulturën apo mbrojtjen e bimëve të cilat kanë një rritje të kuotave që shkojnë deri në 140 për secilën.
Sipas autoriteteve të Ministrisë së Arsimit dhe shkencës, 17 mijë të rinj do të kenë mundësinë të përfitojnë nga kuotat e masterave shkencore e profesionale, paketë e cila do të shpallet së shpejti.