Durrës, mbytet edhe peshkarexha e tretë
DURRËS - Thellohen pasojat e dëmtimeve të përplasjes së tragetit “Aurela” me peshkarexhat në portin e Durrësit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës u mbyt edhe peshkarexha e tretë, e cila në momentet e përplasjes me tragetin ndodhej e ankoruar në afërsi të peshkarexhave “Acquario” dhe “Taulantia”. Mjeti i peshkimit quhej “ El Passo” dhe kishte pronar Klodian Kapitin. Që në orët e para të incidentit të ndodhur, pronari i saj konstatoi se uji po hynte në sallën e motorit, në fillim me ngadalë, por më pas me rritjen e peshës së anijes nga depërtimi i ujit dhe zhytja më në thellësi, u rrit ndjeshëm edhe sasia e futjes së ujit në anije. Pronari i saj luftoi që ta shmangë katastrofën e tretë në port dhe vuri në funksion motopompat dhe mjetet e dorës për largimin e ujit. Edhe manovra shpëtuese që u tentua për ta transportuar peshkarexhën në breg, pranë kalatës lindore, rezultoi e pasuksesshme, pasi anija kishte marrë një sasi të tepërt uji. Prandaj sapo u shkëput nga kalata, “El Passo” u menjanua dhe nuk premtonte se do ta përballonte udhëtimin prej rreth 600 metrash. Pas kësaj atë e afruan në afërsi të pikës së pastrimit të porteve ku edhe u fundos. Ajo u zhyt, sipas marinarëve të peshkimit në det, rreth orës 03:00 të së dielës duke e rritur në 3 numrin e peshkatoreve të fundosura nga përplasja me tragetin gjatë fortunalit të së shtunës.
Vlera e dëmeve
Në Portin e peshkimit, sipas peshkatarëve, shoqëria e siguracioneve të shoqërisë së tragetit “Aurelia” ka dërguar një specialist. “Specialisti, - thotë pronari Kapiti, - ishte një vendas. Ai kontaktoi me peshkatarët e dëmtuar, si dhe pa vendin e përplasjes”. Disa peshkatarë të tjerë ngritën si problem se duhej të ishin një grup ekspertësh, me qëllim që vlera e dëmit të çmohej korrektësisht. Peshkatarët pretendojnë se dëmet e shkaktuara, të cilat u rritën me mbytjen e “ El Passos”, kalojnë vlerën e një gjysmë milioni euro. Punonjësit e sindikatës, duke llogaritur vlerën e 3 anijeve të mbytura tashmë, si dhe katër të tjerave që janë dëmtuar keqazi në pjesët fundore të skafeve metalike, i llogarisin dëmet në 400 000 – 500 000 euro. Për këtë kanë hartuar dhe një peticion ndaj Kapitenerisë së Porteve të Shqipërisë që krahas masave për të shmangur incidente të tilla që mund të kenë pasoja më të rënda, të zhdëmtojnë peshkatarët deri në qindarkën e fundit.