Sot pritet votimi i projekt buxhetit, opozita kundër
Tiranë- Në seancën e pasdites në Kuvendin e Shqipërisë pritet votimi i projetbuxhetit të vitit 2009. Votimi, parashikuar që në rendin e ditës së senacës së shkuar u shty për ditën e sotme, pas një debati shumë të gjatë që vazhdoi deri pas mesnate, por pa arritur të finalizohej me votimin ne parim per buxhetin. Buxheti u prezantua nga kryeministri i vendit, i cili deklaroi se ai është buxheti historik, që do të rrisë mirëqenien, rrogat dhe pensionet e shqiptarëve. Buxhet që do të shohë me përparësi, arsimin, shëndetësinë dhe pagat e personelit mjekësor, përfshirë edhe infermieret. Qeveria ka planifikuar të kryejë vitin e ardhshëm 383 mld lekë shpenzime, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat mund të arrijnë në 333 mld lekë, pra një deficit rreth 4 %.
Berisha mbajti një fjalim të gjatë për investimet që do të realizohen, duke deklaruar me bujë edhe projektin më të ri, cilësuar “Shqipëria, ullishtja e Mesdheut”, që u prit me të qeshura nga opozita.
Seanca u mbyll pas largimit të deputetëve të opozitës nga salla e parlamentit, ndërkohë që në fjalën e tyre janë shprehur të gjithë kundër projekt buxhetit të hartuar nga qeveria. Opozita e ka quajtur buxhetin, varfërues, me shifra të gënjeshtërta, që nuk do të ndikojnë aspak në përmirësimin e jetës së shqiptarëve, përkundrazi do t’i varfërojë ata.
Pas seancës maratonë, një ditë më pas lideri i PS-së, Edi Rama ka reaguar kundër buxhetit përmes një konference për shtyp, duke analizuar me shifra projektin e qeverisë, duke deklaruar se ai nuk i sjell asnjë shpresë shqiptarëve.